Fjalë Kyçe

Kthehet në muze, treni që dërgoi gjysmë milioni kosovarë në Bllacë në kohën e luftës

Kthehet në muze, treni që dërgoi gjysmë milioni kosovarë në Bllacë në kohën e luftës

Tre vagonë s’u vunë në shërbim të qytetarëve, për 20 vite rresht. Por, dy dekada më parë, përmes tyre pothuajse gjysmë milion shqiptarë u nisën për në Bllacë, të detyruar nga forcat serbe.

Sot infrastruktura e vagonëve është e vjetruar, e këto ulëse s’i shfrytëzoi më askush.

Por vagonët të drejtuar nga kjo lokomotivë, këtë vit do të marrin edhe njëherë një rrugë.

Në këtë prill, destinacioni i tyre do të jetë i njëjtë, por jo edhe qëllimi.

Lokomotiva bashkë me tre vagonë do të niset për në Bllacë, e kësisoj do të vihet gurthemeli i qendrës përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca 99”.

Këtë radhë, do të jetë hera e fundit që ky tren merr këtë rrugë, pasi që nga 10 prilli e tutje, ai do të qëndrojë në muze.

E nga Qeveria e Kosovës, u kujdesën që imazhi i vagonëve, të kujtojë përgjithmonë atë që iu ndodhi mbi 400.000 shqiptarëve, dy dekada më parë.

Jahja Lluka, nga Zyra e Kryeministrit, tregon se çka vijon pas shënimit të gurthemelit.

Veç të tjerash, do të hapet edhe një ekspozitë me fotografi të asaj periudhe, në bashkëpunim me Maqedoninë.