Shkollat e Prishtinës do të vazhdojnë të furnizohen me kifle nga kompania “Premium Bakery”, ndonëse kontrata e komunës me këtë kompani ka përfunduar më 20 mars.
Komuna ka zgjedhur që ta vazhdojë bashkëpunimin me kompaninë edhe për tre muaj, përmes formës së negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se procedura e hapur ka dështuar pasi, sipas tij, nuk ka pasur tenderues të përgjegjshëm, raporton KTV.
Ahmeti ka thënë se është zgjedhur “Premium Bakery”, pasi kjo kompani ka ofruar çmimin më të lirë.
“Ka pasur tender dhe ka dështuar, sepse nuk ka pasur tenderues të përgjegjshëm. Tash, për periudhë më të shkurtër edhe për këtë arsye, kemi shkuar me këtë kontratë të negociuar sikurse me qumësht, që po mundohemi ta kemi çmimin e njëjtë. Këtë kompani e kemi pasur gjithmonë, edhe çmimi ka qenë më i liri. Gjithmonë kanë fituar në tenderë, por çmimi është arsyeja kryesore”, ka thënë Ahmeti.
Zyrtarë të kompanisë, e cila për tri vjet furnizon shkollat e kryeqytetit me kifle, kanë thënë se pavarësisht shtrenjtimit të lëndës së parë, nuk e kanë rritur çmimin e kifleve.
Kontrata e nënshkruar më 28 mars ka vlerën e 224 mijë e 640 eurove.
Ndonëse marrin kiflet, nxënësit e ciklit të ulët në shkollat fillore të Prishtinës, që nga gjysmëvjetori i dytë nuk mund t’i shoqërojnë ato me konsumimin e qumështit.
Kjo për shkak se Komuna ka anuluar tenderin për këtë qumësht.