Fjalë Kyçe

Mësuesit klasorë duan paga të njëjta si kolegët e tyre

Mësuesit klasorë duan paga të njëjta si kolegët e tyre

Përfaqësues të mësimdhënësve të klasëve të ulëta kanë filluar një seri takimesh me grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës për t’i bindur ata lidhur me kërkesën për rritje të koeficientëve të pagave edhe për ta ashtu si edhe për ata të klasëve të larta.

Ky është njoftimi i këtij grupi mësimdhënësish:

Me kërkesë të Këshillit Iniciues për një takim me të gjitha grupet parlamentare, sot me datë: 03.04.2019 morëm ftesë nga Grupi Parlamentar i Nismës Socialdemokrate. Në këtë takim u pritem nga deputeti-kryetari i Grupit Parlamentar z. Bilall Sherifi dhe deputetja, njëherit edhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim zonja Albulena Balaj – Halimaj.

Në fjalën e tij z. Sherifi pas një mirëseardhjeje shprehu gatishmërinë që t’i dëgjojë pakënaqësitë tona.

Ne si Këshill Iniciues shpalosëm pakënaqësitë – kundërshtimin për Gabimin që është bërë në momentet e fundit para se Ligji i Pagave të miratohet në Kuvend, ku cikli fillor 1-5 është renditur më ulët me koeficient 2.30 kurse ai lëndor 6-9 me 2.45. Kërkesa jonë ishte që Grupi Parlamentar i Nismës Socialdemokrate të jetë mbështetëse që ky gabim që tani për tani nuk e dimë se a ishte i qëllimshëm apo i paqëllimshëm të korrigjohet dhe koeficienti të jetë i barabartë, për të gjithë mësimdhënësit në shkollat fillore 1-9.

Z. Sherifi pas fjalës së tij, dëgjoi kundërshtimet tona për gabimin që është bërë në ligjin e pagave, premtoi përkrahjen e grupit të tij parlamentar. Gjithashtu u pajtua se një ndarje e tillë në koeficient nuk është dashur të ndodhte për shkak të specifikave të punës, por sipas tij ligji i pagave është punuar në mënyrë të shpejtuar dhe me këtë rast ka mundur të ndodhin edhe gabime siç është ky me ciklin klasor 1-5, për të cilin premtoi se do te përpiqen që t’i korrigjojnë.

Po ashtu znj. Albulena përveç përkrahjes si grup parlamentar, e rikonfirmoi përkrahjen edhe në Komisionin Parlamentar për Arsim.