As pas gjashtë ditësh, zjarrfikësit nuk kanë arritur që t’i shuajnë zjarret që kanë përfshirë Bjeshkët e Rekës së Keqe që gjenden në afërsi të kufirit Kosovë-Shqipëri, përkataësisht në fshatin Popoc të Gjakovës. Për gjendjen e krijuar atje, tek sot ka reaguar kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, shkruan Gazeta Express.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se shpërthimi i këtyre zjarreve është shqetësues për shkak të shtrirjes në hapësirë shumë të madhe.
Haradinaj ka thënë se është në kontakt edhe me kryetarin e Komunës së Gjakovës dhe se po e përcjellin gjendjen nga afër. Përveç zjarrfikësve, Haradinaj ka thënë se është mobilizuar me urgjencë edhe një repart i ushtrisë në zonën e rrezikuar.
“Shpërthimi i zjarreve në komunën e Gjakovës është shqetësues për shkak të shtrirjes në hapësirë shumë të madhe. Jam në kontakt me Kryetarin e Gjakovës dhe nga afër po e përcjellim gjendjen e krijuar. Janë mobilizuar zjarrfikësit e pesë komunave në rajon, si dhe Policia e Kosovës. Poashtu, është mobilizuar me urgjencë një repart i ushtrisë në zonën e rrezikuar”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërkohë, komandanti i Zjarrfikësve në Gjakovë, Xhavit Jashari, i ka thënë Gazetës Express se gjendja është katastrofale, por thotë se banorët dhe shtëpitë nuk janë të rrezikuara.
“Është e vërtetë që gjendja është katastrofike. Por, shtëpitë edhe banorët për momentin nuk janë në rrezik. Sipërfaqja që është përfshirë nga zjarri është shumë e madhe, edhe zjarri veç sa po vjen më poshtë. Për momentin janë 35 zjarrfikës edhe zyrtarë që i ruajnë ruajtjen e pyjeve”, thotë Jashari.
Jashari ka thënë se nuk po arrijnë që ta shuajnë zjarrin shkaku i erës, terrenit të papërshtatshëm dhe mungesës së mjeteve.
“Jemi në kontakt me Drejtorin e Emergjencave të Komunës së Gjakovës. Vazhdimisht jemi në kontakt. Të gjittha institucionet janë të njoftuara. Dje i kam pas në ndihmë zjarrfikësat e Prizreni, Rahovecit, Junikut. Terreni është shumë i papërshtatshëm edhe s’po kemi mundësi me u afru për me shu zjarrin. Ky është problemi më i madh, edhe era po është shumë në jo favor tondin”, ka thënë Jashari.