Deputeti i Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka reaguar pas paralajmërimeve të kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, se do të kërkojë mobilizim popullor për të dërguar vendin në zgjedhje të reja.
Sherifi, përmes një postimi në Facebook, shkruan se “mjafton të jesh në pushtet që Albin Kurti të të shpallë ‘hajn’, ‘kriminel’, ‘tradhtar’ madje edhe ‘argat i Serbisë’.
“Sapo të ‘zbresësh’ nga pushteti ku ke ‘vjedhë’, ku ‘ke tradhtuar interesat e vendit duke bërë argatin e Serbisë’, ai të vjen në shtëpi dhe të ofron PARTNERITET për të ardhur së bashku në pushtet! Hipokrizia nuk ka brirë”, shkruan Sherifi.
Ky reagim i Sherifit, që është edhe shef i Grupit Parlamentar të Nismës, erdhi pas konferencës së sotme për media të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili drejtoi akuza të rënda ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi, duke kërkuar mobilizim popullor për të çuar vendin në zgjedhje të reja.
Për këtë, ai ka bërë të ditur se ka nisur takimet me qytetarë në gjitha qytetet e Kosovës, pastaj përmes mocionit të mosbesimit në Kuvend të rrëzojnë këtë qeveri dhe ta shkarkojnë presidentin Thaçi.