Ka dhënë dorëheqje Kirurgu i Klinikës Abdominale në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, Besnik Bicaj.
Dorëheqja e Bicajt nuk është miratuar nga drejtoria. Kështu konfirmojnë për lajmi.net nga zyra për media e SHSKUK-së.
“Ju konfirmojmë se dr. Bicaj, ka ofruar dorëheqje tek drejtori i klinikës së Kirurgjisë Abdominale për arsye personale, e njëjta ende nuk është miratuar nga drejtoria. Me zgjedhjen e drejtorit të ri të klinikës, ka filluar riorganizimi në të gjitha repartet dhe monitorimi i kujdestarive të stafit që për funkzionalizim sa më të mirë të klinikës”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së dërguar lajmit.
Po ashtu në përgjigjen e SHSKUK-së thuhet dorëheqja e tij ka ardhur pas vendimit të Drejtorit të ri të Klinikës Abdominale, për ndërrimin e pozicioneve të kirurgëve të rinj dhe ndërrimi i ekipit të Bicajt.
“Drejtori i klinikës ka kërkuar që të gjitha ekipet kujdestare në listën e fundit të ndërrohen pozicionet e kirurgëve të rinj dhe ndërrimi i ekipit të doktorit në fjalë ka qenë shkak i dorëheqjes së tij, pra kjo ka qenë pakënaqësia e tij. Largimi i çdo kirurgu nga klinika nuk e është e dobishme për klinikën, por secili nga ta vendos se ku do të punoj, por rregullit duhet t’i nënshtrohet secili nga ta. Procedura e ERCP kryhet nga dr. Bicaj, por edhe nga kolegu e tij dr. Halil Tanaj, i cili vazhdon punën”, thuhet me tej në përgjigje.