Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, i bëri thirrje Kosovës që të hiqen “pengesat e krijuara nga FETO” në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve, duke ju referuar organizatës së klerikut Fetullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për grushtin e shtetit të korrikut të vitit 2016.
Ministri turk i cili është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i bëri këto komente pas takimit me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Rrustem Berisha. Në një konferencë të përbashkët, ministri turk nënvizoi lidhjet e fuqishme ndërmjet Turqisë dhe Kosovës.
“Le ta heqim shpejt pengesën FETÖ midis nesh. Ne duhet ta heqim qafesh menjëherë këtë”, tha ministri turk.
Më 29 mars të vitit 2018, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, punonjës të Institucioneve në pronësi të klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi.
Të gjashtët ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve dhe nxiti një përplasje deklaratash ndërmjet presidentit turk Recep Tayipp Erdogan dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në korrik të vitit të kaluar u themelua një komision parlamentar për hetimin e operacionit i cili gjeti 31 shkelje ligjore gjatë operacionit, raporton VoA. Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të komisionit, janë bërë Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Ditë më parë, ambasada amerikane në Prishtinë, tha se trysnia politike mbi sektorin e sigurisë është shkelje skandaloze e vlerave demokratike, duke komentuar gjetjet rreth operacionit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq një vit më parë. Ajo u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin, ndërsa u rikujtoi udhëheqësve të Kosovës “që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit”.
Ambasada turke në Prishtinë, më pas shpërndau një reagim të Ankarasë ndaj qëndrimeve të ambasadës amerikane. Në reagim citohej zëdhënësi i ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy, të ketë thënë se “jemi duke arritur rezultate konkrete në luftën kundër shtrirjes së organizatës terroriste FETO jashtë vendit. Është duke u kuptuar gjithnjë e më shumë se organizata në fjalë paraqet një rrezik serioz, jo vetëm për Turqinë, por edhe për ato vende ku është duke vepruar”.
Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara dhe i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.
Ministri turk i Mbrojtjes, vizitoi Kosovën pas vizitës së të mërkurës në Maqedoninë e Veriut, ku mësohet se ka kërkuar po ashtu veprime kundër pjesëtarëve të organizatës FETO, në një periudhë kur mbështetja e Turqisë është e domosdoshme për synimet e Maqedonisë së Veriut që të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.