Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje i është drejtuar qytetarëve duke kërkuar mobilizim popullor për ta çuar vendin në zgjedhje të reja. Edhe partitë tjera opozitare e duan rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, por LDK thotë se nuk do t’i bashkohet protestës kundër “PANhajnisë” që paralajmëroi Kurti nuk do t’i bashkohet LDK-ja.
Nënkryetari i LDK-së që është edhe kryetar i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka përdorur një fjali të moçme kur është pyetur nga Gazeta Express nëse do t’i bashkohen protestës së thirrur nga Albin Kurti e titulluar kundër “PAN hajnisë” që kërkon rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Veliu tha se nuk do t’i bashkohen këtyre protestave pasi “nuk i bëhen bisht askujt”.
“Jo nuk i bashkohemi protestave të tyre, se nuk i bëhemi bisht askujt”, tha Veliu.
Shtoi se e duan rrëzimin e Qeverisë por jo përmes protestave.
“Ne e kërkojmë rrëzimin e QËevrisë po jo me këto metoda, këto metoda nuk janë të pranueshme”, tha Veliu.
Nënkryetari i LDK’së nuk konkretizoi se çfarë metodash do të përdorë LDK-ja për ta rrëzuar kryeministrin Haradinaj nga pushteti por tha se votat për rrëzim nuk i kanë.
Tha se e kanë pasur një ide por Vetëvendosjes iu larguan deputetët dhe nuk është realizuar ajo ide.
“E kemi pas idenë, po Vetëvendosja u nda me shokët e tyre, po i përkrahin Qeverisë kur po kanë nevojë dhe momentalisht nuk ka vota të mjaftueshme”, përfundoi Veliu.
E mendim ndryshe nga Veliu ka deputetja e kësaj partie Vjosa Osmani. E ftuar mbrëmë në T7, ajo tha se LDK është pro protestave, por nuk i përkrahin ato të dhunshmet.
“LDK është partia e parë që ka protestuar që nga koha kur kundërshtonte regjimin e Millosheviqit.
Ne jemi pro organizimeve në masë. Por assesi nuk jemi për protesta të dhunshme me gaz lotsjellës e mjete të tjera”, ka thënë Osmani në “Pressing”.
Ndërsa, analisti Astrit Gashi, thotë se protestat janë të domosdoshme dhe në të njëjtën kohë të vonuara.
“Protestat kundër korrupsionit e qeverisjes së keqe jo vetëm se janë të domosdoshme por edhe te vonuara. Kosova nga jashtë e ka armik Serbinë, por nga brenda e ka pangopjen e klasës politike e cila po e rrjep vendin nga brenda dhe po e bënë kështu më lehtë të ngrënshme nga jashtë”, tha Gashi për Express.
Ai pret që qytetarët të dalin në protestë por shpreson që protestën të mos e lidhin organizatorët e saj me synime elektorale.
“Prandaj pres që aktivizimi qytetar të jetë pro protestimit. Partitë politike duhet të jenë të kujdesshme që protestat për një çështje kaq të rëndësishme për vendin të mos i lidhin me vetveten si dhe me synime elektorale partiake sepse ashtu rrezikojnë që jo vetëm të zbehin këtë problem por edhe të ja humbin pjesëmarrjen. Mendoj se në këtë temë duhet angazhim sa më i madh dhe qe ato të janë mbipartiake, në mënyrë që të jenë sa më masive dhe sa me të efektshme”, përfundoi Gashi.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje nga sot ka nisur tubimet me qytetarë kundër Qeverisë Haradinaj.
U raportua se tubimet fillojnë nga komuna e Vushtrrisë për të vazhduar në çdo komunë të Kosovës.
Albin Kurti dje u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protestë dhe ta rrëzojnë Qeverinë Haradinaj, po ashtu tha se pas tubimeve do të bëjë edhe një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit aktual.