Fjalë Kyçe

O’Connell: Kosova duhet urgjentisht të mos i trajtojë më miqtë e saj si budallenj

O’Connell: Kosova duhet urgjentisht të mos i trajtojë më miqtë e saj si budallenj

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka paralajmëruar autoritetet kosovare që të mos i marrin “për budallenj” miqtë e saj ndërkombëtarë në një koment lidhur me përplasjen e ambasadorit të Zvicrës, Jean-Hubert Lebet dhe ministrit kosovar, Pal Lekaj.

Në një koment në Facebook, O’Connell ka thënë se Kosova është e lirë t’i shpenzojë ku të dojë paratë e buxhetit të shtetit – edhe nëse ato shpenzohen në mënyrë të paligjshme – mirëpo ka deklaruar se edhe shtetet mike të saj mund ta tërheqin mbështetjen e tyre për Kosovën.

“Së pari, ekziston e drejta për të komentuar çështjet e brendshme [të Kosovës, v.j], kur ato ndikojnë në interesin e një shteti. Dështimi i Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin ndikon edhe në Mbretërinë e Bashkuar”, ka thënë O’Connell në komentin e tij në Facebook.

“Natyrisht, Kosova është e lirë të shpenzojë buxhetin e saj për veteranët e rrejshëm, nëse dëshiron, ashtu sikurse Zvicra ose cilido vend tjetër është e lirë ta tërheqë mbështetjen për Kosovën”, ka thënë ambasadori britanik. “Kosova ka nevojë urgjente të ndalojë trajtimin e miqve të saj si budallenj”.

Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Jean-Hubert Lebet, gjatë përurimit të sistemit të ujësjellësit që lidh 10 fshatra të Komunës së Skenderajt, projekt ky i financuar nga shteti i tij, të mërkurën e javës së kaluar ka thënë se “nuk është normale që Qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin”.

Sipas tij, “nëse ruhen paratë dhe nuk financohen veteranët e rrejshëm, do të mund të ndërtoheshin më shumë se një ujësjellës”.

E këtë deklaratë të Rupert e kishin mbështetur shumica e ambasadave të huaja në Kosovë, përfshirë edhe Ambasadën e Britanisë së Madhe.