Fjalë Kyçe

Kjo është ushtarakja shqiptare që ka kryer misione edhe në Afganistan

Kjo është ushtarakja shqiptare që ka kryer misione edhe në Afganistan

Kapitenia Ana Allani nuk e kishte menduar ndonjëherë kur ishte fëmije se, një ditë do të ishte pjesë e Forcave të Armatosura. Uniforma që veshi 4 vite në kolegj, me sa duket i diktuan rrugëtimin në të ardhmen. Në vitin 2004 nisi udhën drejt ushtrisë.

“Përpos 4 universitete që konkurrova, në to ishte edhe Akademia ushtarake ‘Skënderbej’, e cila ishte një risi për kohën, pasi ofronte mundësi studimi ‘Bachelor’ në Administrim Biznesi, por titulloheshe edhe oficere. Pavarësisht familjarëve të mi, të cilët nuk është se ishin shumë dakord për shkak se uniforma të jep kufizime, si në liri veprimi e mendime, në çdo aspekt të jetës, por që e pranuan vendimin tim”, tha kapitenia Ana.

“Nuk kisha një ide fikse si mund të ishte jeta universitare në ushtri, por mendoj që arsimimi që kam marrë në atë kohë, disiplina, vlerat vazhdojnë ende, e kanë ndikim edhe në krijimin e familjes”, tha Ana Allani, raporton topchannel.

Për çdo ushtarak, arsimimi nuk përfundon vetëm me sistemin akademik, por ndjekia e kurseve institucionale të ndryshme për marrjen e gradave është e vazhdueshme. Të qenit ushtare – mendon kapitenia, – është një sfidë me veten gjatë të gjithë kohës.

“Nuk është thjesht përgjegjësi personale, por dhe përgjegjësi kombëtare. Në momentin që je ushtarake, oficere, gjithmonë je në rrezik, por varet nga masat që merr ti si individ, për të qenë e siguruar”, tha Ana Allani.

Periudha më frytdhënëse, si dhe ajo më e vështirë mbeten shërbimet ushtarake. Veç përshtatjes me kulturat e huaja dhe misionin në Afganistan për 6 muaj, pranimi i të qenit larg familjes, djalit të saj, ka qenë për Anën tepër e vështirë.

“Nuk kishte natë që në sytë e mi të mos kishte lot. Pavarësisht se je ushtarake dhe ti shfaq përherë autoritetin e një femre shumë të fortë, momentin kur të del fëmija para syve ndryshon çdo gjë”, tha Ana.

Ana pohon se e ka menduar në momente delikate të ndalë ushtrimin e profesionit që ka zgjedhur, por me mbështetjen e bashkëshortit të saj, po ushtarak, dhe vendosmërinë që e karakterizon, s’ka hequr dorë.

“Ti mendon të gjithë sakrificat që ke bërë për të arritur këtu ku je, e të vjen keq që ta lësh përgjysmë pa e përfunduar”, tha Ana Allani, kapitene.