Fjalë Kyçe

Panxha: Duhet të punojmë më shumë në tregun e brendshëm

Panxha: Duhet të punojmë më shumë në tregun e brendshëm

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka kërkuar që të rregullohet tregu i brendshëm, pas vendosjes së taksës për mallrat serbe dhe boshnjake.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Panxha ka thënë se duhet të miratohen edhe një sërë ligjesh të cilat e mbështesin tregun kosovar ashtu që të mos ketë nevojë më për asnjë taksë ndaj asnjë shteti.

“Pasi të hiqet taksa, ne duhet të punojmë më shumë me rregullimin e tregut të brendshëm, që supermarketet dhe tregtarët me shumicë duhet të fillojnë të japin përparësi prodhimeve vendore sepse deri më tash kushtet që i kanë vendosë ndaj prodhuesve kanë qenë kushte tejet të vështira dhe i kanë qitë në pozitë të vështirë produktet e Kosovës të jenë konkurruese me produktet e rajonit”, ka thënë Panxha.

Panxha tha ndër ligjet të cilat kërkohen janë ai për Tregti të Brendshme, Ligji për Konkurrencën, Ligji për praktikat jo të drejta tregtarë, etj. Sipas tij, nëse nuk ndryshohet një qasje e tillë, do të kenë probleme të njëjta si para vendosjes së taksës.

“Ne duhet të miratojmë Ligjin për Tregti të Brendshme, duhet të amandamentojmë Ligjin për Konkurrencën, duhet të miratohet Ligji për praktikat jo të drejta tregtarë, një seri ligjesh të tjera të cilat duhet ta rregullojnë funksionimin e tregut të brendshëm të Kosovës. Pastaj, kur funksionon tregu i brendshëm si duhet dhe prodhimet vendore trajtohen barabartë me produktet e importit, atëherë nuk shohim që do të ketë nevojë të vendosen taksa ndaj produkteve të asnjë vendi sepse në fund konsumatorët do të kenë mundësinë me zgjedhë”, pohoi Panxha për Ekonomia Online.

Sipas tij, taksa ende nuk e ka arritur efektin ekonomik aq sa është e nevojshme, ndërsa shprehet se qasja e Serbisë ndaj tregut kosovar duhet të ndryshojë.

“Efektin ekonomik ende nuk e ka arrit sa duhet sepse ne po shpresojmë që edhe pasi të hiqet taksa kurdoherë që ndodhë kjo, qasja e kompanive serbe në tregun e Kosovës do të ndryshojë.

Në të njëjtën kohë ne kërkojmë edhe nga institucionet tona që t’i shfrytëzojnë mekanizmat tjerë përveç taksës për rregullimin e tregut të brendshëm të Kosovës, sepse në qoftë se nuk ndryshon qasja e tregtarëve ndaj prodhimeve të Kosovës, atëherë ne mund t’i qesim edhe 100 taksa të tjera, prapë se prapë rezultatet do të jenë negative”, tha ai.

Sa i përket eksportit në vendet evropiane, Panxha nuk e vlerëson rritje të kënaqshme për Kosovën. Ai përmend problemet me të cilat përballen prodhuesit, të cilëve u vështirësohet puna“Eksporti në vendet e BE-së është duke shënuar rritje të vazhdueshme për shkak se produktet e Kosovës e kanë kualitetin e duhur për të deportu në këto tregje.

A është rritja e kënaqshme, nuk është sepse duhet të përcjellën edhe masat e tjera përkrahëse për rritje të eksportit. Ne ende edhe sot kemi probleme me energji elektrike, kemi problem me infrastrukturën ligjore që nuk është sa duhet përkrahëse ndaj prodhimit vendor”, tha Panxha.

Ndër të tjera Panxha ka thënë se Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, u ka ofruar qasje gjithmonë institucioneve vendore. Këta të fundit, janë munduar që t’i rregullojnë problemet me qasje ad-hoc, por jo afatgjate.