Publicisti Bardhyl Mahmuti nëpërmjet një letre publike për të tretën herë i ka kërkuar ballafaqim të drejtpërdrejt zviceranit Dick Marty, rreth divergjencave thelbësore që karakterizojnë librat e tyre lidhur me luftën në Kosovë.
Dick Marty në vitin 2011, kishte hartuar një raport për Kosovën, i cili përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës.
Shtatë vite pas këtij raporti, Zyra e Prokurorit të Specializuar që u krijua si rrjedhojë e tij dhe së fundi ka nisur të ftojë për intervistimim të dyshuarit e parë që mund të përballën me gjyq në Dhomat e Specializuara.
Megjithatë, deri më tani dyshimet e Martyt, kanë treguar se janë vetëm supozime dhe akuza, pasi asgjë nuk është vërtetuar.
Kurse, sot publicisti Mahmuti nëpërmjet letrës publike ka treguar se është takuar personalisht me Martyn, të cilin ia ka dhënë librin e tij dhe e ka ftuar në ballafaqim në njërin ndër universitetet në Zvicrës.
Mahmuti ka thënë se përkundër asaj që Marty publikisht ka pranuar ftesën, asnjëherë nuk ka treguar se kur do të ndodhë ky ballafaqim.
Letër publike Dick Martyt
Më 31 tetor 2018, kur në librarinë “Payot” të Lozanë u bë përurimi i librit tuaj i titulluar “Une certaine idée de la justice- Tchétchénie-CIA-Kosovo-drogue” (Njëfarë ideje për drejtësinë – Çeçenia, CIA-Kosova-droga) ju dhurova librin tim dhe ju bëra ftesë që të ballafaqohemi publikisht në ndonjërin nga universitet e Zvicrës, në prani të studentëve dhe profesorëve të interesuar për këtë debat dhe ju propozova Universitetin e Gjenevës, për shkak se, paraprakisht, kisha biseduar me Albana Krasniqin Malajn, drejtoreshën e Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë, e cila është e gatshme të sigurojë mbajtjen e këtij debati.
Ju e pranuat ftesën time dhe deklaruat në prezencën e personaliteteve që kishin ardhur për përurimin e librit tuaj se do të pranoni ballafaqimin sapo të lexoni librin tim.
Të njëjtën gjë e keni pohuar edhe gjatë përurimit të librit në Friburg të Zvicrës si përgjigje në pyetjen e një të pranishmi.
Deri tani nuk ju kam shqetësuar për arsye se kam dashur t’ju lë kohën e nevojshme për ta lexuar librin tim. Kanë kaluar më shumë se pesë muaj nga premtimi juaj publik dhe e shoh si moment korrekt që t’ua rikujtoj këtë.
Shpresoj se keni pasur mundësinë që të ndani kohën e mjaftueshme nga agjenda juaj e ngarkuar për të lexuar librin tim dhe do të caktoni datën kur ju konvenon që të bëhet ballafaqimi rreth divergjencave thelbësore që karakterizojnë librat e ne të dyve lidhur me luftën në Kosovë.
Me respekt
Bardhyl Mahmuti