Kryedemokrati Lulzim Basha u ndal paraditen e kësaj të diele në Rrogozhinë në një takim me mbështetësit e Partisë Demokratike.
Në fjalën e tij, Basha tha se lanë parlamentin e krimit për tu kthyer në shesh me qytetarët dhe krahë për krahë me ta në këtë betejë.
“Oligarkët shushunja, këta armiq të interesit publik, e dinë fare mirë se çfarë i pret. Partia Demokratike ka një plan për nxjerrjen e vendit nga kriza dhe kjo fillon me anulimin e kontratave korruptive dhe kthimin e këtyre parave te populli shqiptar. Ne do ti japim fund njëherë e mirë diskriminimit të fermerëve, do të fillojmë nga dita jonë e parë skemën më e madhe të subvencionimit familje më familje, të prodhimeve bujqësore e blegotrale, sipas modeleve evropiane”, u shpreh Basha.
Ai shtoi se dita e ndryshimit të madh po vjen dhe se nuk do të jetë vetëm dita e largimit të Edi Ramës, por dita e dhënies së llogarisë.
Basha tha se beteja bëhet për ta varrosur një herë e mirë fenomenin Edi Rama, pushtetarin batakçi që shkatërron ekonominë dhe kap institucionet, të lidhur me krimin që shkatërron ekonominë, futet në shtëpitë e qytetarëve dhe në xhepat e tyre.
Ai i ftoi banorët e Rrogozhinës që pasditen e 13 prillit të bashkohen në Tiranë, kur dhe do të jetë protesta e radhës. /NOA