Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullha Hoti ka thënë se për aq sa kohë nuk ka konsensus të brendshëm politik në Kosovë nuk mund të këtë as dialog me Serbinë.
Ai po ashtu ka thënë se ngrirja e marrëdhënieve të Kosovës me BE-në dhe SHBA-në, po shkon në favor të veprimeve nepotiste dhe korruptive të, siç thotë ai, partnerëve të PAN-it, përcjell lajmi.net.
Sipas tij, politika e jashtme e Kosovës është jo ekzistente, plotësisht në defansivë, duke u munduar të parandalohet tërheqja e njohjeve.
Ky është postimi i plotë i Hotit:
Për aq kohë sa nuk ka konsensus të brendshëm politik dhe shoqëror në Kosovës, bazuar në parimet e Kushtetutës së Kosovës, nuk mund të ketë as dialog me Serbinë. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë akterët politik dhe institucional.
Ngrirja e marrëdhënieve të Kosovës me BE-në dhe SHBA-në po shkon në favor të veprimeve nepotiste dhe korruptive të partnerëve të PAN-it.
Politika e jashtme e Kosovës është jo ekzistente, plotësisht në defansivë, duke u munduar të parandalohet tërheqja e njohjeve. Vizita të rëndësishme në Kosovë pothuajse nuk ka fare, dhe as vizita jashtë të krerëve të institucioneve.
Vetëm zgjedhjet e reja i hapin rrugë krijimit të institucioneve legjitime, që mund të sigurojnë konsensusin e brendshëm politik dhe shoqëror. Qytetarët duhet ta thonë fjalën e tyre, sa më parë më mirë për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe konsolidimin e shtetësisë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.