Më 12 qershor shënohet përvjetori i 20-të i çlirimit dhe hyrjes së trupave të NATO-s në vend.
Me këtë rast, tre ish-presidentët e vendit dhe presidenti Hashim Thaçi do të organizojnë pritje madhështore në Prishtinë.
Dy nga emrat e përfolur se do të vizitojnë Kosovën ishin dy ish-sekretaret e shtetit amerikan, Madeleine Albright dhe Hillary Clinton.
Mirëpo ekipi që po merret me organizimin ka bërë të ditur se ende nuk dihet se kush do të ftohet të marrë pjesë.
Në një përgjigje drejtuar mediave, thuhet se nuk ka ende asnjë konfirmim se kush do të marrë pjesë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, më 26 mars 2019, ka marrë vendim për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, si iniciativë e katër Presidentëve – Presidentit Thaçi, Presidentit Sejdiu dhe Presidentit Pacolli, të cilin e udhëheq Presidentja Atifete Jahjaga. Kjo është faza fillestare e dërgimit të ftesave, dhe se deri më tani ende nuk ka asnjë konfirmim se kush do të marrë pjesë”, ka bërë të ditur Florent Rrahmani, Anëtar i Ekipit Zbatues.
Organizimi ndërkaq i është besuar ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.