Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj , ka shkarkuar nga posti i ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, pasi ky i fundit mohoi se ka pasur masakër në Reçak si dhe shqiptarët e Kosovës që luftuan për çlirim të vendit i quajti terroristë.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se gjuha e tillë e urrejtjes është e patolerueshme.
Ai ka thënë se është e pakuptimtë se si një ministër është shprehur me aq injorancë, urrejtje e fyerje për viktimat e Reçakut.
Haradinaj ka shtuar se në qeverinë e tij nuk do të ketë vend për njerëz që fyejnë në baza etnike, racore, apo tjera.
“Sot kam marrë vendim për shkarkimin e Ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq. Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet. Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, ka shkruar Haradinaj.