Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se ky subjekt politik vetëm ka bërë kërkesë për të regjistruar një qendër të saj në Tiranë, e cila me statut nuk i lejohet që të garojë në zgjedhjet e Shqipërisë.
Haxhiu tha se duke parë punën që është bërë që nga viti 2006 edhe në Tiranë nga Vetëvendosje, kanë vendosur ta regjistrojnë një qendër atje me qëllim që idetë e tyre t’i shpërndajnë edhe atje.
Ajo tha se në krye të kësaj qendre do të jetë Bojken Abazi, transmeton Ksp.
“Çfarëdo që ka ndodhur në Kosovë jemi përpjekur që të organizojmë takime, tubime, aktivitete të ndryshme edhe në Tiranë. Tani çfarë po ndodh është një strukturim i asaj që kemi bërë deri tani. Kemi mbështetje të madhe dhe anëtarë të shumtë që e përkrahin Lëvizjen Vetëvendosje, por kjo çka kemi bërë është vetëm një kërkesë për ta regjistruar një qendër të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk ka të bëjë me garimin në zgjedhje ose të jemi parti politike e regjistruar atje. Statuti që e kemi nuk lejon garime në zgjedhje, pra është një lloj qendre e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Haxhiu.
Këto komente deputetja e VV-së i bëri në konferencë për media ku diskutuan për shkeljet që po i bëhen Kushtetutës së Kosovës.