Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, mund të fillojnë nga muaji dhjetor. Të paktën kështu po pretendon kryediplomati serb, Ivica Dacic, shkruan Gazeta Metro.
Ndonëse thotë se nuk mund të pritet ndonjë përparim i madh në dialogun mes dy vendeve, bisedimet pak më intensive mund të fillojnë nga dhjetori.
Këto komente ai i bëri pas takimit të së martës me të Dërguarin e Posaçëm Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer në Bled të Sllovenisë.
Daçiq për TV Prva tha se pret që SHBA’të të bëjnë presion shtesë mbi qeverinë e re të Prishtinës për të hequr taksën dhe kështu të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut, transmeton klan kosova.
Ai theksoi se më së shumti bisedoi me Palmerin për dialogun Beograd-Prishtinë.
“Pritjet e tyre janë që këto bisedime të intensifikohen. Kemi një periudhë tranzicioni në BE, nga Federica Mogherini në Josep Borrelin, dhe më pas zgjedhjet në Serbi”, ka rikujtuar ai.
Shefi i diplomacisë serbe theksoi se Palmer ka qenë i pranishëm në Ballkan për shumë vite, dhe shpjegoi se ai mbetet në postin e Zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit dhe gjithashtu do të jetë përgjegjës për rajonin e Ballkanit Perëndimor.