Fjalë Kyçe

Komuna e Skenderajt mikpritëse e radhës e projektit “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar”

Komuna e Skenderajt mikpritëse e radhës e projektit “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar”

Pas Mitrovicës dhe Suharekës, për dy ditë me radhë projekti “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar” me moton ”Ti mund ta bësh- You can do it”, ka vazhduar në komunën e Skenderajt, projekt që po organizohet nga FFK-ja ë bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Sportit dhe Shoqatën e Pedagogëve të Edukatës Fizike dhe Sportit, derisa mbështetet nga UEFA. Kësisoji, dje dhe sot në Runik të Skenderajt u mbajtën garat, në të cilat morën pjesë vajzat e 12 shkollave të mesme të ulëta.

Në hapje, të pranishmit dhe njomaket, në emër të FFK-së i ka përshëndetur anëtarja e KE dhe kryetarja e Komisionit të futbollit të femrave znj. Vjollcë Krasniqi, e cila falënderoi drejtorinë e sportit dhe Shoqatën e Pedagogëve të Edukatës fizike dhe sportit, ndërkaq përgëzoi arsimtarët e edukimit fizik të shkollave për angazhim, derisa vajzave të reja u uroi një garim korrekt e sportiv e të suksesshëm.

Ndërkaq, të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti drejtori i Kulturës, Rinisë dhe sportit të komunës së Skenderajt, z. Ramiz Shala. Garat po mbikëqyrën nga menaxherja e futbollit ë femrave znj. Valbonë Gashi-Uka dhe një numër i madh i arsimtarëve të edukimit fizik. Vajzat e 12 shkollave, 120 sosh, zhvilluan gara jashtëzakonisht të mira, në frymë sportive, duke shfaqur talentin e tyre dhe dashurinë për lojën e futbollit. Gjatë këtyre dy ditëve u dalluan shumë vajza të talentuara e të cilat u evidentuan nga arsimtarët e edukimit fizik si dhe nga FFK-ja, të cilat në një të ardhme të afërt, mund t’u bashkëngjitën klubeve të futbollit nga mbarë Kosova, që është edhe qëllim i këtij projekti që vajzat e reja të inkuadrohen në futbollin e organizuar. Pas përfundimit të garave Basri Jashari, kryetar i Shoqatës së Pedagogëve të Edukatës Fizike u shpreh: Në emër të Shoqatës dua të falënderoj shumë FFK-në dhe kolegët.

FFK-në për një projekt shumë të rëndësishëm dhe domethënës për zhvillimin e futbollit të vajzave të reja duke mbështetur dhe përkrahur plotësisht, ndërkaq kolegët për një angazhim të jashtëzakonshëm në mbarëvajtjen e garave si dhe komunës për mbështetje. Për dy ditë me radhë, ku u përfshinë mbi 120 vajza të reja, patëm rastin të shohim shumë vajza të talentuar dhe që shumë prej tyre ne veç i evidentuam e që besoj se shumë shpejt mund të bëhen pjesë e klubeve tona të futbollit. Unë besoj dhe do të ishte mirë që FFK-ja të organizojë dhe mbajë në vazhdimësi kësi lloj të garave”.

Garat u zhvilluan me sistem të eliminimit, derisa FFK-ja për të gjitha shkollat pjesëmarrëse ka dhuruar nga 6 topa të futbollit, derisa për ekipet më të mira janë ndarë kupa dhe mirënjohje.

Xhiroja e parë

SHFMU “Ilir Lushtaku – SHFMU “Ahmet Delia” 0:4

SHFMU ” Dëshmorët e Qyqavicës” – SHFMU”Shaban Jashari” 3:0

SHFMU ” Skënder Skënderi”– SHFMU”Pavarësia” 4:0

SHFMU ” Malush Ahmeti”– SHFMU”Bashkim Sadiku” 0:0) (me pen. 1:2)

SHFMU ” Halit Geci”– SHFMU ”Fehmi Rama ” 0:3

Xhiroja e dytë

SHFMU ” Fehmi Rama”– SHFMU ”Ahmet Delia ” 0:2

SHFMU ” Bashkim Sadiku ”– SHFMU ”Skënder Skënderi” 0:1

SHFMU ” Dëshmorët e Qyqavicës”– SHFMU ”Abedin Rexha” 0:2

Gjysmëfinalja

SHFMU ” Ahmet Delia”– SHFMU ”Abedin Rexha” 0:1

Finalja

SHFMU ” Abedin Rexha”– SHFMU ”Skënder Skënderi ” 2:0