Me 29 prill në Berlin të Gjermanisë do të mbahet një takim i liderëve të Ballkanit Perëndimor nën organizimin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Francës Emanuel Macronn.
‘Samiti i Berlinit’, do të ketë në fokus të veçantë stabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe diskutimin mbi integrimin e vendeve “rajonit problematik” të Evropës.
Në këtë samit nga Kosova do të marrin pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Burime brenda qeverisë gjermane kanë thënë për mediat se në qendër të fokusit të këtij takimi do të jetë çështja e dialogut Kosovë – Serbi.
Por, megjithëkëtë liderët kosovarë nuk janë shprehur shumë optimistë sa i përket këtij takimi në rolin që do të ketë për zhbllokimin e dialogut midis dy vendeve.
E njohësit e çështjeve politike, këtë takim po e shohin si mjaftë të rëndësishëm dhe një kthesë të madhe në rolin e BE-së mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Avni Mazreku për lajmi.net është shprehur se formati dhe përmbajtja e këtij takimi manifeston artikulimin e asaj që konsiderohet interes i Evropës së Vjetër.
Sipas tij, interesi i Evropës së Vjetër nuk është artikuluar mirë përmes zonjës Mogherini e cila aktualisht është Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian.
“Mendoj që Samiti i Berlinit kështu siç edhe po quhet tash për nga vet formati dhe përmbajtja që është publikuar manifeston atë që konsiderohet interes i Evropës së vjetër. Kur them interes i Evropës së Vjetër nënkuptoj atë që strukturat super-nacionale të bashkimit evropian, në këtë rast politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë i cila artikulohet aktualisht përmes zonjës Mogherini, konkretisht Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë nuk e ka artikuluar qartë atë që quhet interes strategjik i Evropës së Vjetër”, tha Mazreku.
Më tutje, ai ka shtuar se si interes strategjik i këtyre dy vendeve organizatore të këtij samiti është edhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
“Interesi strategjik i Evropës së Vjetër ka qenë dhe mbetet stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Prandaj të gjitha këto struktura në procesin e dialogimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe që nuk kanë rezultuar me suksesin e pritur, realisht me atë që quhet pikë e stabilizimit të vendeve të Ballkanit perëndimor dhe që realisht çështje e vetme e hapur mbetet çështja e statusit të Kosovës dhe normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Mazreku.
Sipas Mazrekut është e rëndësishme që duket se dy shtetet kryesore të Evropës së Vjetër, Franca dhe Gjermania e kanë marrë me seriozitet të theksuar çështjen e stabilitetit të rajonit dhe ky takim do të konsistoj në gjetjen e një zgjidhje për të mbyllur çështjen midis Kosovës dhe Serbisë.
“Dy shtetet qendrore, dy shtetet kryesore të Evropës së Vjetër që janë Franca dhe Gjermania duket se e kanë marrë me seriozitet të theksuar çështjen e stabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe me këtë rast unë mendoj që ky samit mendoj që do të konsistoj esencialisht në gjendjen apo fillimit e gjetjes së një zgjidhje e cila do të përmbyllte çështjen e fundit të hapur dhe të pambyllur që është çështja e Kosovës, përkatësisht normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi”, tha Mazreku.
Në anën tjetër, profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Arben Fetoshi tha se Samiti i Berlimit do ta rikthej vëmendjen tek çështjet e Ballkanit Perëndimor.
Ai më tutje është shprehur se ky takim do të thotë se kancelaria Merkel dhe presidenti Macron kanë ardhur me një iniciativë të re sa i përket përpjekjeve ndërkombëtare për të mos e lënë pezull dialogun.
“Samiti i Berlinit domosdo do ta rikthej edhe njëherë vëmendjen tek çështjet e Ballkanit perëndimor dhe në këtë kuadër dialogu Kosovë – Serbi do të jetë kryetema dhe unë pres që kjo ta dominoj agjendën e Samitit. Sepse duke e pasë parasysh pezullimin për disa muaj të dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit, kancelaria Merkel dhe presidenti Macron kanë ardhur me një ide të re, me një iniciativë të re e cila tregon rolin e tyre aktiv në përpjekjet ndërkombëtare që të mos e lënë pezull procesin e dialogut që pa dyshim se është tema kryesore dhe çështja kryesore që kërkon angazhimin ndërkombëtar në krejt problemet që ballafaqohet Ballkani Perëndimor”, tha Fetoshi.
Përveç kësaj, Fetoshi e sheh të mundshme se në këtë takim përveç dialogut do të diskutohet edhe për heqjen e taksës që shihet si pengesë për rifillim të dialogut, por më tutje ai ka theksuar se mund të ketë edhe ndonjë sinjal konkret sa i përket vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën.
“Përveç çështjes së dialogut, natyrisht të gjitha çështjet tjera që lidhen me Kosovën do të jenë pjesë e diskutimit. Pra në këtë kuadër dy liderët më të fuqishëm evropianë do të kërkojnë nga Kosova të reflektoj edhe mbi pengesën e dialogut e që është taksa, por ka gjasë reale që zonja Merkel dhe presidenti Macron të japin ndonjë sinjal më konkret ose ndonjë mesazh më konkret sa i përket kërkesës së vazhdueshme të Kosovës dhe pasi që edhe BE e ka pranuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave mbase edhe kjo çështje do të marrë një mesazh më të qartë nga liderët evropianë sa i përket vendimit se kur qytetarët e Kosovës do të përfitojnë mundësinë e lëvizjes pa viza në vendet e zonës shengen”, tha në fund Fetoshi.
Vlen të theksohet fakti se dialogu Kosovë – Serbi është pezulluar që nga hyrja në fuqi e vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Në anën tjetër edhe Gjermania e Franca janë dy shtete të cilat kanë kërkuar nga Kosova heqjen e taksës dhe vazhdimin e dialogut deri në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve me një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse.
Gjermania gjithashtu është shteti që me zë të theksuar e kundërshton korrigjimin e kufijve si mënyrë të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë. Sa i përket samitit, as nga Serbia nuk shprehen optimistë se mund të gjendet një zgjidhje ose të arrihet konsensus sa i përket çështjes së dialogut.