Asnjë projektligj nuk është hedhur në votim në seancën e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit.
Në këtë seancën të Kuvendit u diskutua për Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Gjatë debatit, deputetët kryesisht opozitarë, paraqitën vërejtje të shumta për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019. Ata vunë në pah mangësitë, të cilat sipas tyre, bëjnë që buxheti i planifikuar të mos jetë buxhet zhvillimor, por, vetëm shpenzim i pa menduar mirë i parasë publike.
Deputetët, po ashtu kritikuan edhe mungesën e shumë ministrave të kabinetit qeveritar në seancë, që sipas tyre, tregon qartazi papërgjegjshmërinë e qeverisë.
Në këtë seancë, pas diskutimit të deputetëve, ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, u është përgjigjur interesimit të deputetëve, lidhur me çështjet që kishin të bënin me buxhetin.
Hamza hodhi poshtë pohimet e disa deputetëve se rritja e buxhetit për vitin 2019 nuk do të ndikojë në rritjen ekonomike.
Pas një debati për dy ditë radhazi lidhur me këtë projektligj, i cili në mungesë kuorumi nuk u hodh në votim, seanca vijoi punimet me shqyrtimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, Projektligjin për produktet biocide dhe Projektligjin për Odën e Arkitekteve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit.
Në lexim të dytë ndërkaq, është shqyrtuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Familjen i Kosovës.
Në mungesë kuorumi, asnjëra nga këto projektligje nuk i është nënshtruar procesit të votimit.
Në vijim, deputetët shqyrtuan edhe Raportin eAuditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dheSporteve për vitin 2017, si dhe Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë përvitin 2017.
Po ashtu, në mungesë kuorumi, as këto raportenuk janë hedhur në votim.
Pas kësaj, kryesuesi i Kuvendit e shpalli të mbyllur seancën, për vazhdimin e së cilës, ai tha se deputetët do të njoftohen me kohë.