Notari që garoi në Lojërat Olimpike Rio 2016, Lum Zhaveli, ka përfaqësuar sportistët e Kosovës në Forumin më të madh Ndërkombëtar të Sportistëve, të organizuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Në Forumin e 9-të të mbajtur për tri ditë në Lozanë të Zvicrës, u diskutuan çështje të ndryshme për sportistët, derisa u dhanë propozime konkrete për të rritur mbështetjen e sportistëve në të gjitha nivelet.
“Ishte nder për mua që t’i përfaqësojë sportistët e Kosovës në një forum të tillë, ku kishim mundësi të shkëmbenim përvoja të ndryshme”, deklaroi Zhaveli për ueb-faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës, “noc-kosovo.org”.
Pjesëmarrës në Forum ishin rreth 350 sportistë të Komiteteve Olimpike Kombëtare, Federatave Sportive, si dhe organizatave të ndryshe.
Ndër temat e shumta që u diskutuan ishin: Forcimi i përfaqësimit të sportistëve, forcimi i modelit të financimit të nga Solidariteti Olimpik, forcimi i mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare për komisionet e sportistëve në KO, mbrojtja e sportistëve të pastër dhe lufta kundër dopingut, fokusi në shëndetin mendor të sportistëve, ftesa që sportistët të jenë ambasadorë të Lëvizjes Olimpike etj. /GazetaAlo