Mbrëmë pas mesnate një vjedhje e rëndë ka ndodhur në mes të qytetit të Ferizajt, nga ku hajnat kanë grabitur në një këmbimore 70 mijë euro, raporton Gazeta Express.
Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Express Policia e Rajonit të Ferizajt, që ka bërë të ditur se pronari ka lajmëruar për vjedhjen në ora 08:10 minuta të mëngjesit.
“Sot gjatë orës 08:10 minuta pronari i një këmbimore që gjendet në qendër të Ferizajt ka bërë të ditur se iu është thyer lokali dhe ju janë vjedhur 70 mijë euro”, tha Gashi.
Tutje, ai ka shtuar se deri më tani për këtë rast nuk është arrestuar ndonjë person, megjithatë, policia po punon që të zbardhet prapavija e rastit.
“Menjëherë të gjitha njësitet e policisë kanë dalë në vend të ngjarjes ndërkaq po punohet për të vënë në dritë rrethanat si ka ndodhur rasti”, ka thënë, Agim Gashi nga policia rajonale e Ferizajt.
Deri më tani nuk flitet as për ndonjë person të dyshuar.
Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.
“Rasti është në fazë të hetimeve, deri më tani nuk ka ndonjë person të arrestuar, jemi duke punuar në zbardhje të rastit”, deklaroi Jashari.
Tutje, ai ka konfirmuar se po punohet për të zbardhur pamjet e kamerave të sigurisë.
Në këtë muaj, Gazeta Express pati raportuar për një tjetër vjedhje të rëndë të ndodhur në Ferizaj, ku në një shtëpi ishin vjedhur 70 mijë euro