Arbër Berisha 6 vjeçar nga fshati Qyshk i Pejës ka vdekur të martën në klinikën Infektive në QKUK. Aty kishte ardhur nga spitali rajonal i Pejës, ku pas 25 minutave vdiq si pasojë e meningoencephalit purulent (ndeza e trurit). Mjeket si duket nuk e kuptuan diagnozën e vërtetë të Arbrit duke thënë se ai kishte temperaturë që i ishte shkaktuar nga gripi. Familja e vogëlushit po akuzon mjekët për pakujdesi ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës Imer Beka, sot ka nisur hetimet për vdekjen e 6 vjeçarit, raporton Gazeta Express.
Familjarët e Arbrit sipas një njoftimi që kanë lëshuar në rrjetet sociale thonë se mjekët ia kanë huqur diagnozës duke thënë se vogëlushi ka grip. Shtojnë se Arbëri është veç një ndër viktimat e mjekësisë të lodhët të Kosovës.
Një familjarje e 6 vjevarit thotë se edhe një natë para se Arbri të vdiste, sipas mjekëve “temperatura dhe gripi vazhdonin të ishin arsye e gjendjes së rëndë të tij”.
“Pas një sëmundje në tru, këshillat mjeksore gjithmonë përcjellëshin duke iu qasur një gripi të lehtë që kalon me antibiotik edhe s’mbet sen tjetër. Po, i kemi besu se mendum që ata jane te duhurit me i identifiku cfaredo sëmundje që ka njeri, po s’kane pas as qysh me e vrejt kur s’janë interesu me kqyr diqka ma thellë se “temperature”.Edhe nji natë para se me ndërru jetë, temperatura hala ish arsye, po edhe atë ditë kur ndërroj jetë prap një “qiri per temperaturë” edhe kalon”, thotë kjo familjare.
E pas raportimit të mediave, QKU ka lëshuar një njoftim ku sipas tyre Arbër Berisha erdhi në gjendje të rëndë nga Spitali i Pejës dhe në Infektivë qëndroi rreth 25 minuta- ku edhe vdiq.
Por, Prokuroria Themelore e Prishtinës sot ka filluar hetimet për vdekjen tragjike të djalit 6 vjeçar. Këtë informacion e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prishtinës Imer Beka për Gazetën Express.
“Sot kam dhënë urdhër që të nisin hetimet për vdekjen e vogëlushit. Edhe pse kjo lëndë është dashur që të trajtohet nga Prokuroria e Pejës për shkak se gati tërë kohën vogëlushi është trajtuar në spitalin e Pejës pastaj në QKUK, lëndën e morëm ne dhe do të hetohet ky rast.”, tha Beka.
Për këtë rast QKU ka lëshuar njoftimin më poshtë:
Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës njofton se fëmija A.B (2013) ka ardhur në gjendje të rëndë kome nga Peja në Klinikën Infketive me diagnizë meningoencephalit purulent (ndezje të trurit) dhe ka qëndruar vetëm 25 minuta në klinikë. Përkundër masave reanimatore të ekipit kujdestar nga ekipi i infektivës dhe masave të ndërmarra, pas 25 minutave, i njëjti ka ndërruar jetë, meqë gjendja ishte shumë e rëndë.
Klinika Infektive siguron gjithë qytetarët se ka marrë të gjitha masat që kërkohen në të tilla raste, por përkundër masave reanimatore, ai nuk mbijetoi.
Ndërsa, familjarët thanë se kur djali pritej të nisej nga spitali i Pejës në Prishtinë, autoambulanca ishte vonuar rreth dy orë.