Fjalë Kyçe

Vasfije Krasniqi-Goodman: Viktimat e dhunës nuk duhet të turpërohen – nuk ishte faji i tyre

Vasfije Krasniqi-Goodman: Viktimat e dhunës nuk duhet të turpërohen – nuk ishte faji i tyre

Viktima e dhunës seksuale në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, u ka bërë thirrje viktimave të dhunës seksuale që mos të turpërohen sepse faji nuk është i tyre.

Ajo këto komente i ka bërë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, duke shtuar se viktimat e dhunës seksuale duhet ta kenë mbështetjen e plotë nga shoqëria dhe veçanërisht nga familjarët e tyre.

“Unë i kisha lutur viktimat e dhunës seksuale që ata ose ato mos të turpërohen sepse faji nuk ka qenë i tyre”.

“Kriminelët nuk kanë bërë dallim të moshës apo të gjinisë sepse kemi raste kur është dhunuar edhe fëmija shtatëvjeçar. Gjithashtu janë dhunuar të vjetrat dhe janë dhunuar gratë shtatzëna”.

“Faji nuk ka qenë i joni pasi që na është bërë diçka kundër dëshirës sonë. Nuk dua të them se ne dhamë diçka, por mund të them se na u mor diçka për këtë shtet dhe ne duhet ta gëzojmë lirinë si të gjithë të tjerët”.

“Viktimat duhet të shkojnë tek komisionet për t’i kërkuar të drejtat e tyre që iu takojnë, duhet të kërkojnë drejtësi”.

“Mesazhi im kryesor është që familjarët t’i mbrojnë dhe t’i përkrahin viktimat e dhunës seksuale. Atyre duhet t’iu ofrohet mbështetje sepse më besoni që e kanë shumë të vështirë që të ballafaqohen me të kaluarën”.