Policia e Kosovës në Ferizaj i ka shoqëruar në stacion policor 8 shtetas çekë.
Policia e Kosovës në Ferizaj, ka konfirmuar lajmin për shoqërimin e tetë shtetasve çekë në stacionin policor.
Arsyeja për shoqërimin e tyre është sepse shtetasit çekë kanë planifikuar lëshimin e dronit që do të mbante 3 flamuj serbë dhe mbishkrime anti-Kosovë, gjatë ndeshjes Kosovë – Çeki, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, shkruan lajmi.net.
Këtë informacion për lajmi.net e ka konfirmuar edhe komandanti i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Major Mehmet Ali Hajdini.
Ai është shprehur se për momentin nuk është caktuar ende masë e ndalimit, por personat vazhdojnë të qëndrojnë në stacionin policor.
Ali Hajdini ka konfirmuar gjithashtu se janë konfiskuar një dron, 3 flamuj serbë dhe një baner me mbishkrim kundër shtetit të Kosovës.
Sipas Ali Hajdinit ende nuk është marrë vendimi për 8 shtetasit e Republikës së Çekisë.
Vlen të theksohet se kjo ndodh një ditë para sfidës së futbollit ndërmjet Kombëtares së Kosovës dhe asaj së Çekisë në kuadër të kualifikimeve për evropianin 2020.