Mbi 137 mijë euro janë shpenzuar vetëm për paga për tre ministrat e Punëve të Brendshme, dhe kabinetin e tyre vetëm muajin e kaluar. Derisa në total kjo ministri ka shpenzuar mbi 202 mijë euro për dreka, dara, karburante, udhëtime zyrtare.
Afro 60 mijë euro nga taksat e qytetarëve të Kosovës janë shpenzuar vetëm për pagat e katër zëvendësministrave të ministrisë së Punëve të Brendshme, Abdulselami Shkodra, Isa Xhemajlaj, Izmi Zeka dhe Milan Radojevic.
Më shumë se 24 mijë euro kanë shkuar vetëm për pagat e dy ish-ministrave dhe ministrit aktual dhe 53 mijë e 630 euro për këshilltarët.
Ish- ministri, Bejtush Gashi u pagua 13 mijë e 148 euro ndërsa ish- ministri, Flamur Sefaj 6 mijë e 690 euro derisa ministri aktual Ekrem Mustafa ka marrë afro 5 mijë euro pagë.
Në total paga të tre ministrave dhe stafit të tyre janë shpenzuar 137.691 mijë euro. Stafi përbëhet nga katër zëvendësministra, 12 këshilltarë politik dhe shef kabineti, shkruan Insajderi.
Në total Ministria e Punëve të Brendshme ka shpenzuar 202 mijë e 204 euro, brenda vitit të kaluar për shpenzimet e reprezentacionit, shpenzimet e telefonisë mobile, karburante, paga, avance (mëditje) e kredit kartela.
MPB mbi 20 mijë euro për reprezentacion
Afro 22 mijë euro të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për kategorinë e shpenzimeve të reprezentacionit (dreka, darka, pije dhe dhurata për takime të ndryshme zyrtare) nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Gati 7 mijë euro shpenzuan dy ish-ministrat dhe ministri aktual, Ekrem Mustafa takimet, drekat e darkat zyrtare. Për 3 muaj, ish-ministri Flamur Sefaj shpenzoi 1 mijë e 481 euro ndërsa për të njëjtën kohëzgjatje, Ekrem Mustafa shpenzoi afro 2 mijë euro për reprezentacion.
Ministri i shkarkuar në tetor të 2018-s, Bejtush Gashi, në periudhën prill – shtator shpenzoi më shumë se 3 mijë për reprezentacion.
Përderisa, kjo ministri vazhdimisht po ndërronte ministra, zëvendësministrat po kujdeseshim të ‘reprezantonin’ siç ‘duhet’ vendin.
Katër zëvendësit e Ekrem Mustafës, Izmi Zeka, Isa Xhemajlaj, Milan Radojeviq dhe Abdylselam Shkodra harxhuan nga buxheti i shtetit 8 mijë e 641 euro për këtë kategori.
Listës i prinë, Izmi Zeka me 2 mijë 424 euro, Isa Xhemajli me 2 mijë e 407 euro, Milan Radojeviq me 2 mijë e 137 euro pasuar nga zëvendësministri, Abdylselam Shkodra me 1 mijë e 673 euro.
Bejtush Gashi drejtoi Ministrinë e Punëve të Brendshme për shtatë muaj. Por, kjo nuk e pengoi që t’a shfrytëzojë në maksimum kreditë kartelën.
Vetëm për dy muaj (korrik – gusht), ish-ministri shpenzoi plotë 1 mijë e 518 euro nga buxheti i shtetit. Përderisa, paraardhësi i tij, Flamur Sefaj u tregua i kujdesshëm me kredit kartelën, për reprezentacionit shpenzoi më shumë se 1 mijë e 500 euro për 3 muaj.
Ministri aktual, Ekrem Mustafa shpenzoi afro 2 mijë euro nga buxheti për tre muaj për të njëjtën kategori.
Meditjet për udhëtimet zyrtare
Nga kategoria për shpenzimet e udhëtimeve zyrtare për mëditje, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë shpenzuar më shumë se 18 mijë euro.
Vetëm në muajin shkurt, zëvendësministri Isa Xhemajlaj mori 1 mijë e 87 euro për këtë kategori.
Keq nuk mbeti as shefi i kabinetit të ministrit, Arianit Ibrahimi për tre muaj, për mëditje u pagua afër 2 mijë euro, vetëm në muaj tetor mori 1 mijë e 354 euro. Pasuar nga zëvendësministri, Abdylselmani Shkodra me më shumë se 1 mijë e 900 euro.
Edhe pse nuk qëndroi gjatë në postin e ministrit, Flamur Sefajn nuk e ndaloi asgjë që nga taksapaguesit për mëditje të marrë më shumë se 1 mijë e 200 euro për dy muaj. Teksa, pasardhësi i tij, Bejtush Gashi për dy muaj mori 963 euro. Ndërsa, ministri Ekrem Mustafa për tre muaj nga mëditjet mori 652 euro.
Te kjo kategori bie në sy edhe këshilltari, Liridon Sadrija, i cili harxhoi afro 1 mijë e 200 euro.
Në të dhënat e siguruara nga Insajderi, 3 mijë e 145 euro janë shpenzuar për karburantin e shfrytëzuar nga ministri, emri i cilit ministër nuk është cekur nuk dihet nëse fjalë është për njërin nga ish-dy ministrat apo ministrin aktual.
Zëvendësministri, Izmi Zeka ka shpenzuar afro 3 mijë litra derivate që kapin vlerën e 3 mijë e 135 euro e 77 cent. Afro 2 mijë euro ka shpenzuar edhe zëvendësi tjetër i MPB-së, Abdylselmani Shkodra. Ndërsa dy zëvendësministrat, Milan Radojeviq dhe Isa Xhemajlaj së bashku kanë shpenzuar 3 mijë e 155 euro, teksa të gjithë këshilltarët bashkë kanë shpenzuar 2 mijë e 20 euro.
Kush po e përdorë më shumë telefoninë mobile në MPB?
Më shumë se 8 mijë e 500 euro janë shfrytëzuar nga kjo ministri për telefoni mobile.
Këshilltari, Jashar Çukid është në ‘garë’ me zëvendësministrin Izmi Zeka për përdorimin e telefonisë mobile. Përderisa, Çukid ka shpenzuar 840 euro për periudhën janar – dhjetor, zv/ministri Zeka ka shpenzuar edhe një euro më shumë 841. Vetëm në gusht zëvendësministri ka shpenzuar 182 euro.
Për katër muaj, ish-ministri Sefaj shpenzoi afër 200 euro telefoni mobile. Për shtatë muaj ish-ministri, Bejtush Gashi harxhoi afër 650 euro, ndërsa Ekrem Mustafa për tre muaj 216 euro.