Fjalë Kyçe

Ky është rekordmeni për dhurimin e gjakut

Ky është rekordmeni për dhurimin e gjakut

Bilall Neziri nuk e di saktësisht sa herë ka dhuruar gjak.

“Nja 150 herë po”, thotë me qeshje ai.

“Prej se e njoh, dhuron gjak”, ndërhyn një prej kolegëve të punës në oborrin e minierës së ‘Trepçës’ në Stantërg.

“Nuk ka mbetur kujt pa i dhanë gjak”, shton Mensur Fejza, ish-drejtues i sektorëve të ndryshëm në minierë, teksa dëgjon rrëfimin e Nezirit për gazetën. Është ditë me diell. Kolegët do t’ia festojnë Nezirit pas disa muajsh daljen në pension, shkruan sot Koha Ditore.

Ka 48 vjet prej se nisi të dhuronte vullnetarisht gjak. Ishte viti 1971, kur nxënësve të shkollës së mesme të Zveçanit po u kërkohej të dhuronin gjak për një qytetar që kishte pësuar një aksident. Neziri ishte nxënës i vitit të dytë.

“Kemajl Sefaja kishte pësuar një aksident, ka qenë në Mitrovicë, dhe ne kemi shkuar me dhanë gjak. Ai na thirri pastaj në drekë, dhe aty më ka ardhur ideja me dhuru gjak. Dhe deri më sot, kam dhuruar gati 53 litra, qaty qysh i kanë ba hesap.

Gjithnjë kam shkuar vullnetarisht”, thekson thinjoshi faqekuq.

“Një dozë gjaku shpëton dy jeta të njeriut, kështu që kam kënaqësinë e veçantë që mua Zoti ma ka dhanë, unë ia kam dhuru popullit”, shton Neziri.