Fjalë Kyçe

Fëmijët e Ibrahim Rugovës jashtë listës së kandidatëve për deputetë

Fëmijët e Ibrahim Rugovës jashtë listës së kandidatëve për deputetë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar listën e plotë të kandidatëve për deputetë.

Në zgjedhjet e 6 tetorit LDK do të kandidojë me 110 deputetë në listë të cilës i prinë Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre nga radhët e partisë.

Në listë nuk janë parë as kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e as ish-kryetari Fatmir Sejdiu.

Por, ajo që është më e çuditshme është fakti se në listën e LDK-së mungojnë edhe fëmijët e presidentit dhe kryetarit historik të LDK-së, Ibrahim Rugovës.

Kohëve të fundit, është rikthyer fuqishëm në ligjërimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kthimi i frymës rugoviane brenda partisë.

E si duket, kthimi i kësaj fryme do të bëhet duke i shpërfillur fëmijët e ish-presidentit të Kosovës, në emrin e të cilit LDK ende lobon për të fituar vota.

Ende nuk janë zbuluar arsyet se pse në këtë listë nuk janë përfshirë as Teuta Rugova dhe as Ukë Rugova.

Në anën tjetër, Ramiz Kelmendi dje ka dhënë dorëheqje nga LDK me arsyetimin se nuk ka gjetur hapësirë dhe gjithashtu ka deklaruar se do të përkrahë Kadri Veselin për kryeministër.