Fjalë Kyçe

Brnabic: Nuk ka arsyetim për bombardimin e RTS nga NATO, njëzet vjet më parë

Kryeministrja serbe e quan ‘akt barbar’ bombardimin e televizionit serb 20 vjet më parë nga NATO, derisa po fliste në një konferencë për lirinë e shtypit të organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Serbisë.

Nesër bëhen 20 vite nga bombardimi i ndërtesës së televizionit serb nga NATO. Makineria e propagandës së Slobodan Milosevic u godit nga NATO dhe si pasojë vdiqën 16 persona.

Qeveria serbe dhe mediat serbe ende vazhdojnë me viktimizimin e tyre. Shoqata e Gazetarëve të Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë organizuan një konferencë përkujtimore.

Ana Brnabic u shpreh se “shumë prej tyre që sot na ligjërojnë për lirinë e medieve, pamëshirë dërguan predha kundër një mediumi” tha gjatë fjalimit hapës të kësaj konference.

Ana Brnabic shtoi edhe se ata të cilët urdhëruan bombardimin e ndërtesës nuk do të përballen me drejtësinë “për fat të keq”, transmeton Gazeta Metro.

Kryeministrja serbe Ana Brnabic vazhdoi me mohimin e legjitimitetit të bombardimit të ndërtesës së televizionit serb, duke e quajtur propagandë atëherë e edhe sot, vendimin që i cilësoi ndërtesën dhe ata njerëzit brenda si propagandues dhe si pasojë, shënjestër legjitime.

Ana Brnabic vazhdoi me arsyetimin se Serbia ka bërë diçka rreth kësaj çështje duke shtuar se “ne dënuam ato struktura shtetërore që vrisnin për fjalë e mendime”.

Në konferencën foli edhe Drejtori i Përgjithshëm i RTS Dragan Bujosevic, i cili u ankua se Komiteti i Mbrojtjes së Gazetarëve ende po refuzon të pranoj që të vdekurit gjatë bombardimit të ndërtesës së televizionit të i regjistrojë në listën e gazetarëve të vrarë.