Sikur në shumë vende të botës, edhe në Kosovë shënohet Java e imunizimit 2019.
Java Botërore e Imunizimit (24 -30 prill) në Kosovë synon që përmes aktiviteteve të organizuara të rris vetëdijesimin për imunizim, e rrjedhimisht edhe përmirësimin e statusit shëndetësor të fëmijëve që është prioritet kryesor i Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHP-së, UNICEF-it e OBSh, me qëllimin që të parandalohet rishfaqja e sëmundjeve ngjitëse, të cilat shkaktojnë paaftësi dhe vdekje, dhe për të siguruar që të gjithë fëmijët të kenë një mundësi të barabartë për një të ardhme të shëndoshë.
Përmes një komunikate nga Ministria e Shëndetësisë, thuhet se vaksinimi i fëmijëve, sipas kalendarit vjetor të vaksinimit të obliguar me ligj, ka krijuar një traditë të mirë në deceniet e fundit në Kosovë.
“Vaksinimi në shkallë prej mbi 95% të fëmijëve në Kosovë, flet për një sukses të përbashkët të MSh-së, IKSHKP-së, UNICEF-it, OBSH-së, si dhe profesionistëve shëndetësor e prindërve kosovarë. Gjatë vitit 2019, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 539.000 euro për sigurimin e vaksinave nga kalendari i vaksinimit të obliguar me ligj dhe 350.000 euro për vaksinat sipas indikacioneve epidemiologjike”, thuhet në komunikatë.
MSh, rikujton se vaksinimi është mënyra më e lirë dhe më efikase për mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet e parandalueshme përmes vaksinimit.
“Fëmijët kosovarë meritojnë të kenë vaksina cilësore dhe me kohë. Prandaj, MSh u bën apel prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre dhe kështu ta mbrojmë shëndetin e tyre”, përfundon apeli.