Të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen bashkë të hënën në Berlin, me ftesë të kancelares Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron.
Gazetari i Top Channel ka mundur të sigurojë agjendën e këtij samiti dhe të pjesëmarrjes. Si çështje e parë në tavolinën e diskutimit do të jetë vëllimi tregtar në rajon.
Një burim diplomatik i tha Top Channel se gjatë diskutimit të kësaj çështjeje, Merkel dhe Macron do t’iu kërkojnë udhëheqësve kosovarë heqjen e taksës me Serbinë.
Samiti do të vijojë me diskutimet për raportet e ndërfqinjësisë dhe mundësitë e pajtimit, nga ku do të kërkohet vijimi i dialogut Kosovë-Serbi. Pika më interesante dhe më e rëndësishme në këtë samit ka të bëjë me vjeljen e mendimeve për stabilitetin e Ballkanit dhe të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Merkel dhe Macron do të dëgjojnë nga udhëheqësit e Ballkanit këndvështrimet e tyre dhe propozimet sesi mund të avancojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit.
Shqipëria do të përfaqësohet nga krtyeminisri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. Ndërsa Kosova, nga presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj. Përfaqësimi i Serbisë do të jetë president-kryeministër. Me president dhe kryeministër do të jetë edhe përfaqësimi i Malit të Zi.
Për pjesëmarrje në këtë samit nuk ka mbërritur ftesë për presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, dhe homologun e tij maqedonas.
Shefja e diplomacisë europiane, Mogherini, dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, janë pjesë e samitit. Për këtë samit ka pasur komente të ndryshme në mediet gjermane dhe ato austriake, nga ku raportohej për një plan të dyshes Merkel-Macron, lidhur me çështjen e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Vlen për t’u parë nëse në tavolinën e këtij samiti do të hidhet për diskutim një plan konkret apo jo.