Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë mbërritur në Berlin.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë arritur në kryeqytetin gjerman, ku do të marrin pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të fillojë nesër, shkruan lajmi.net.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar, presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se, ecja përpara drejt integrimeve evropiane është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe tërë rajonin.
“Sapo arritëm në Berlin për samitin e nesërm me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ecja përpara drejt integrimeve evropiane është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe tërë rajonin tonë”, ka shkruar Thaçi në Facebook, përcjell lajmi.net.
Në anën tjetër mbërritjen në Berlin e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Haradinaj ka shkruar se ai në këtë takim ka shkruar me ftesë të Kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.
Kreu i ekzekutivit, këtë takim e ka cilësuar si një mundësi unike për Kosovën dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Sapo arrita në Berlin, për të marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Liderëve të Ballkanit Perëndimor. Ky takim është një mundësi e mirë që liderët e rajonit të flasim hapur për sfidat dhe aspiratat e përbashkëta drejt rrugës euro – atlantike. Kosova në vazhdimësi ka luajtur rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm karshi detyrimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe në përputhje me vlerat evropiane. Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për dialog, paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë, gjithmonë duke respektuar vetveten dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, duke ruajtur integritetin territorial dhe partneritetin me aleatët e përhershëm të saj”, ka shkruar Haradinaj.
Kujtojmë se në takimin e Berlinit do të marrin pjesë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Ndryshe, procesi i Berlinit synon zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimin Evropian.
Si proces, është iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014.