Fjalë Kyçe

Pse po vonohet ndarja e subvencioneve dhe granteve për bujq

Pse po vonohet ndarja e subvencioneve dhe granteve për bujq

Gani Dobratiqi nga fshati Lebanë e Prishtinës, po bën mbjelljet e fundit të misrit në tokën e tij, raporton KTV.

Dobratiqi thotë se e ka pasur të vështirë ta punojë tokën, pasi që këtë vit ende nuk ka mbështetje nga institucionet.

Ndonëse nuk ka marrë asnjë subvencion nga Ministria e Bujqësisë, ai ka investuar mijëra euro për mbjelljen e grurit dhe të misrit.

Dobratiqi thotë se janë vonuar me mbjelljet në vjeshtë, por edhe në ato të pranverës, saqë shumë bujq, sipas tij, nuk kanë arritur t’i punojnë tokat.

Kjo, për arsye se thirrja për aplikim për subvencione nga Ministria e Bujqësisë nuk ka ndodhur ende.

Të shqetësuar me vonesën e ndarjes së subvencioneve dhe granteve për bujqit, janë edhe në Sindikatën e Bujqve të Kosovës.

Tahir Tahiri nga kjo sindikatë, thotë se më së shumti në këtë mes janë dëmtuar bujqit.

Sipas Tahirit, shumë bujq kanë filluar të dorëzohen dhe ta lënë kultivimin e kulturave bujqësore si pasojë e mospërkrahjes institucionale.

Tahiri thotë se në vonesën e ndarjes së subvencioneve dhe granteve për bujqit dhe fermerët, mund të ketë ndikuar edhe shkarkimi i ish-ministrit Rikallo dhe emërimi i ministres së re të Bujqësisë, Dijana Zhiviq.