Partia Socialdemokratike është krenare për punën e saj njëvjeçare, si parti opozitare dhe si parti në pushtet në komunën e Prishtinës dhe Kamenicës.
Në një konferencë për media, deputetja Shqipe Pantina tha se Prishtina dhe Kamenica janë pasqyrë e suksesit të tyre.
“Për një vit PSD-ja ka treguar përkushtim dhe angazhim konkret për gjetjen e zgjidhjes së problemeve. Pasqyra më e mirë për këtë është Prishtina dhe Kamenica. Kemi dhënë shembull të barazisë dhe qeverisjes me transparencë”.
“Ne kemi aplikuar kuotën gjinore 50 me 50 në të gjitha strukturat e partisë. Në këto komuna që ne qeverisim kemi arritur pothuajse kuotën e barabartë. Në Prishtinë nga 16 drejtori, 7 udhëhiqen nga gratë, pra 44 për qind. Ndërsa, në Kamenicë është 54 për qind, pra nga 11 drejtori, 6 kryesohen nga gratë”.
“PSD ka promovuar trasnparencë radikale, pra është vlerësuar si komuna më transparente nga një hulumtim i KDI-së”.
Pantina lavdëroi edhe punën e Grupit Parlamentar në Kuvend duke thënë se kanë ndërmarrë një varg iniciativash pozitive për qytetarët, njofton Klan Kosova.
“Kemi iniciuar shtatë debate parlamentare, ndër to edhe çështjen për dialogun Kosovë-Serbi, kartonin e gjelbër. Kemi propozuar dhe janë miratuar pesë rezoluta përfshirë edhe rezolutën për heqjen e roamingut mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kemi thirrur katër interpelanca dhe kemi iniciuar dy projektligje”.
“Ne jemi duke u përpjekur të ndryshojmë situatën e rëndë në vend dhe këtu duhet të përfshihen të gjithë ata që nuk pajtohen me këtë gjendje”.
Ndërsa, deputeti Dukagjin Gorani tha se shtrirja e PSD-së po vazhdon në tërë Kosovën dhe se janë të angazhuar për kundërshtimin e një pushteti të dëmshëm.
“PSD është e angazhuar që të bëjë dallimin mes qëndrimit opozitar dhe të tifozerisë destruktive, dallimi mes nevojës së bashkëpunimit dhe obligimin për ta kundërshtuar një qeveri të dëmshme”.
“Tash e një vit PSD vazhdon shtirjen e saj anekënd e vendit përmes atyre të rinjve dhe të rejave që e kuptojnë se nuk kanë vendlindje rezervë”.
“Vendi ynë është në udhëkryq vendimtar për të ardhmen tonë dhe kërkohet guxim për veprim. Kosova duhet t’i takojë qytetarit të lirë”.