Rexhep Selimi, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për Radion Evropa e Lirë shpreh mendimin që detyrë parësore e cilësdo qeveri në vend, është ruajtja e integritetit dhe sovranitetit të vendit. Kjo sipas tij është edhe detyrë e qeverisë së ardhshme, të cilën e synon Lëvizja Vetëvendosje.
“Çfarëdo lloj marrëveshje që vjen në kundërshtim të Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit, normalisht që as që duhet dikush ta mendojë që ta bëjë, ta realizojë, ta ratifikojë e aq më tepër që ta draftojë. Është e qartë që në mbrojtje të Kushtetutës, të rendit kushtetues, të sovranitetit dhe integritetit, pra ne nuk do të duhej të bënim hapa të tillë, që deri më tash janë vetëm pjesëza ose copëza të disa takimeve në mes (presidentit të Kosovës, Hashim) Thaçit dhe (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit”, tha Selimi.
Ai ka shtuar se duhet të ekzistojë një itinerar i temave që kanë të bëjnë me kufirin ndërmjet dy vendeve, por para së gjithash duhet të ketë njohje ndërmjet tyre. Sipas tij, në radhë të parë ky kufi duhet të ekzistojë dhe të njihet prej të dy vendeve, si dhe pastaj të bisedohet eventualisht për demarkacion të kufirit ndërmjet tyre.
Ahmeti Isufi, nënkryetari Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila përzgjedhjet e 6 tetorit do të garojë në koalicion me Partinë Socialdemokrate, ka thënë se ky koalicion as që do të merret fare me idenë e ndryshimit të kufirit.
“Kosova është në kufijtë e saj, nga pavarësia që është shpallur me 17 shkurt 2008 dhe absolutisht nuk merret me temën e kufijve. E vetmja temë, me të cilën do të merret Kosova në dialog, sipas Qeverisë Haradinaj, është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, pa të cilën nuk ka asnjë temë që mund të shtrohet. Pas njohjes që mund të ndodhë nga ana e Serbisë, duhet të bëhet edhe demarkacioni i kufirit(si proces teknik)”, u shpreh Isufi.
Sidoqoftë, ideja për ndryshim të kufirit, si zgjidhje e mundshme e kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë , pati dalë në pah në qershor të vitit 2018.
Në fund të muajit gusht të po atij viti, dy protagonistët kryesorë të dialogut Kosovë-Serbi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë Alakdandar Vuçiq, në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, patën elaboruar në pika të shkurta idenë që marrëveshja të përfshijë edhe ndryshimin e kufirit, e cila, më pas, nga presidenti Thaçi u quajt si ‘korrigjim i kufirit’, ndërkaq nga presidenti Vuçiq si “përcaktim i kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”.