Fjalë Kyçe

Prindërit kundërshtojnë garat e diturisë, ngarkesë e paarsyeshme për nxënësit

Prindërit kundërshtojnë garat e diturisë, ngarkesë e paarsyeshme për nxënësit

Garën e Diturisë e cila është planifikuar të mbahet nesër nëpër shkollat e Kosovës, po kundërshtohet nga Këshilli i prindërve të Prishtinës.

Kjo garë që realizohet në kuadër të Programit Nacional për Rininë konsiderohet të jetë “ngarkesë e paarsyeshme, me efekte negative për fëmijët dhe stres i tepërt që nuk justifikon mjetin e as qëllimin”.

Kështu shprehen përmes një postimi, Këshilli i prindërve të Prishtinës.

“Të tilla testime, gjykojmë, se duhet të jenë shumë më mirë të organizuara (në kohë dhe përmbajtje), të mos jenë burim i frustrimit të filloristëve e as mos të bëhen barrë që duhet kryer sa për formalitet ose arsyetim të ndonjë organi a institucioni, që vepron paralelisht dhe ndaras MASHT-it”, thuhet në njoftimin e publikuar nga ky Këshill.

“Fëmijët tanë meritojnë më shumë respekt, kujdes dhe kushte mësimore dhe jo teste e gara ad-hoc, të paplan e padobi”, shkruajnë tutje ata.

Në një sqarim shtesë ata kanë thënë se kanë pranuar shumë ankesa nga prindërit për mbajtjen e kësaj gare, prandaj kanë thënë se duhet të kenë parasysh se gara nuk është e obligueshme.

“Këshilli i Prindërve i Prishtinës ka pranuar kërkesa dhe ankesa të shumta të prindërve që janë kundër Garës së Diturisë (në formë të testimit), e planifikuar të zhvillohet më 11 maj 2019. Ndjehemi të obliguar të bëjmë një sqarim për të gjithë prindërit, i cili sqarim qartësisht ka munguar nga organizatori (Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport) por edhe nga drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit (me aq sa kemi informacion)”, thuhet në sqarimin e Këshillit të prindërve të Prishtinës.

Ndërkohë sot gjatë ditës Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti bashkë me zv/ministrin në MASHT, Azem Guri kanë vizituar selinë e SBASHK- ut dhe kanë bashkëbiseduar me kryetarin Rrahman Jasharaj dhe anëtarët e kryesisë lidhur me garën e diturisë e cila pritet të mbahet.

Përmes një komunikate për medie, SBASHK-u i ka dhënë përkrahje këtij aktiviteti.

“Në garën e nesërme të diturisë mësimdhënësit do të jenë me nxënësit e tyre për të monitoruar garën e diturisë. Ata edhe do të vlerësojnë testet e nxënësve të tyre për të parë se cilët janë më të mirët për momentin në nivel klase e për të vazhduar pastaj këtë garë në nivel komune dhe edhe në nivel vendi. SBASHK-u apelon te mësimdhënësit , që si gjithmonë edhe tani , të dëshmohen se janë të përkushtuar për të dhënë kontributin e tyre në shërbim të nxënësve dhe arritjeve edhe më të larta arsimore në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë thuhet se edhe pse është ditë pushimi, mësimdhënësit e Kosovës dëshmojnë se ishin dhe janë të gatshëm për angazhime shtesë me qëllim që nxënësit të marrin njohuri të duhura dhe ato t’i dëshmojnë përmes garave të diturisë dhe në të ardhmen edhe garave në kulturë e sport.