Fjalë Kyçe

Gjuriq reagon ndaj deklaratës së Thaçit për kufij

Drejtori i zyrës serbe për Kosovën Marko Gjuriq thotë se “promovimi i Thaçit i Shqipërisë së Madhe paraqet një shuplakë, jo vetëm për Serbinë por edhe për gjithë Evropës liridashëse”.

Gjuriq i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar ta dënojë “sjelljen anti civilizuese” të presidentit të Kosovës.

“Shpresoj se komuniteti ndërkombëtar, sidomos ajo pjesë e cila deri tani i ka mbyllur sytë para ligësisë së Prishtinës, më në fund do t’i gjejë fjalët e duhura ta dënojnë sjelljen luftarake dhe anti civilizuese të Hashim Thaçit dhe udhëheqjes së Kosovës”, ka shkruar Gjuriq në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka “paralajmëruar” se “me përshkallëzimin e agresionit dhe papërgjegjësisë së tyre, nuk është cenuar vetëm populli serb, por gjithë Ballkani Perëndimor dhe e gjithë Evropa”.

“Promovimi i Thaçit i të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe, edhe pse i fshehur në gjoja dëshirën për liberalizimi të lëvizjes së njerëzve dhe kapitalit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, është një shuplakë, jo vetëm për Serbinë por edhe për gjithë Evropën liridashëse, e cila dëshiron ardhmëri stabile, paqe dhe prosperitet të përbashkët”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka thënë se Thaçi përsëri promovon idenë për heqjen e kufijve në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, “edhe pse bëhet fjalë për kufirin në mes të Shqipërisë dhe Serbisë”.