Kandidati për kryeministër nga LVV-ja, Albin Kurti, ka thënë se problemet në Kosovë janë korrupsioni, qasja në financa (kamatat e larta në banka) dhe varfëria.
Madje, sipas tij, për bizneset, varfëria është problemi kryesor sepse s’ka fuqi blerëse.
Ai thotë se në javën e fundit të muajit, gati gjysma e popullatës është e varfër.
“Çereku i popullsisë është i varfër në Kosovë. Por, është interesant se gati gjysma e popullsisë janë në javën e fundit të muajit të varfër. Kjo javë është tmerr në Kosovë. Ka gati dyfishim të varfërisë në Kosovë në këtë javë. Unë nuk jam gëzuar publikisht, por shumë më mirë që zgjedhjet janë mbajtur më 6 tetor, sesa më 29 shtator. Sepse është java e fundit e muajit dhe blerjet e votave kanë qenë shumë më të mundshme. Ka pasur blerje votash. Janë duke na ardhur me vonesë këto raportime. Por, me qeverinë e re do të ndodhë një çlirim ku do të mund të publikojnë edhe këto raste”, deklaroi Kurti në intervistën ekskluzive në Rubikon të KTV-së me Agron Bajramin.
Duke folur për qeverisjen e mundshme me LDK-në, që është parti e Qendrës së Djathtë, dhe për ndarjen e dikastereve, Kurti tha se s’do të ketë probleme në këtë aspekt.
“Fondi për asistencë sociale është vetëm 30 milionë euro. Nuk do të jetë fare problem që të merremi vesh për këtë me LDK-në. LDK-ja më shumë është një e djathtë e Evropës kontinentale. Më shumë i përngjan CDU-së e CSU-së gjermane, sesa asaj Konservatore britanike apo asaj amerikane”, potencoi Kurti.