Fjalë Kyçe

Çfarë kishte shkruar Ismail Kadare 20 vite më parë për Peter Handke

Çfarë kishte shkruar Ismail Kadare 20 vite më parë për Peter Handke

Akademia Suedeze e Arteve ka bërë skandalin e radhës sot, ajo ka ndarë tashmë çmimin Nobelin për Letërsi për vitet 2018 dhe 2019 novelistit austriak Peter Handke, shkruan Gazeta Metro.

Handke është adhuruesi dhe përkrahësi i madh i kriminelit serb që kreu gjenocid në Kosovë, Slobodan Milosevic.

Ky person kishte marrë pjesë madje edhe në varrimin e kriminelit serb Milosevic, po ashtu aty kishte mbajtur një fjalim ku thurte vargje dhe fjalime për kriminelin serb duke e lavdëruar.

Por çka kishte thënë Kadare për të në vitin 1999:

Gazeta letrare “Exlibris” ka publikuar sot qëndrimin e Kadaresë për Peter Handken, në ditarin e tij për Kosovën “Ra ky mort e u pamë”.

Kadare 20 prill 1999

Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister.

Shkrimtari më i njohur i Austrisë. Me nënë sllovene. Frankofon. Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake “Residennz Verlag”, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim.

E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadoja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme.

Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë.

Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet.Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”.

A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo.