Sulmuesi i kombëtares malazeze, shqiptari nga Kosova, Fatos Beqiraj, ka folur rreth mundësisë që ata të kualifikon në Euro 2020.
Por, siç shkruan gazeta malazeze “Vijesti”, ndoshta mundësia e vetme për të siguruar kualifikimin është harxhuar mbrëmë në ndeshjen kundër Bullgarisë që përfundoi me rezultatin 0-0.
Beqiraj, në një bisedë për gazetën malazeze, thotë se për ndeshjen e mbrëmshme janë përgatitur për pesë ditë me radhë në mënyrë që të fitojnë atë, por thotë se shumë gjëra nuk ishin në nivel.
“Kishim probleme objektive, dhe sërish s’mund të jemi të kompletuar, mirëpo, pavarësisht të gjithave, është dashur të luajmë më mirë”, pranon Fatos Beqiraj, transmeton Koha.net.
Gazeta thotë se periudha e keqe për kombëtaren malazeze nuk ka filluar mbrëmë, por ka kohë. Nga humbja me Anglinë (1:5), pastaj ngjarjet që ndodhën para ndeshjes me Kosovën dhe pastaj humbja 0:3 në Çekia.
Mali i Zi kështu ka shënuar një vit pa fitore në ndeshje zyrtare. “Shpresoj të ndryshojë me Kosovën, së paku të luajmë shumë më mirë sesa mbrëmë”, thotë Beqiraj.
Të hënën zhvillohet ndeshja me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Këtu Mali i Zi shpreson në rezultat pozitiv.
“Kosova ka ekip të ri, me shumë lojtarë të mirë, që luajnë në skuadra të mira. Ndeshjet e tyre më kujtojnë ndeshjet tona para 7-8 vitesh, kur stadiumi ishte plot, kishte optimizëm të madh dhe dëshirë për t’u dëshmuar. Nuk them se sot na mungon dëshira, ne luftojmë dhe dëshirojmë fitore, por po kalojmë në një moment të rëndë. Shpresoj që shumë shpejt madje qysh kundër Kosovës, të tregojmë imazh tjetër”, shton më tej sulmuesi shqiptar i Maccabi Netanyait, transmeton Koha.net.
Për të, ndeshja me Kosovën, siç thotë ai, do të jetë e njëjtë sikurse çdo ndeshje tjetër. Fakti se ai është lindur dhe rritur në Pejë, nuk ka lidhje me terrenin dhe ambiciet në fanellën e ekipit malazez.
“Këtë e shoh vetëm nga ana sportive, nëse kam shansin do të jap maksimumin sikurse gjithmonë. Mendoj vetëm në atë se si do të luajmë”.
Kujtojmë se Beqiraj ishte lutur që Kosova, vendi ku është lindur, rritur e zhvilluar si futbollist, dhe Mali i Zi, të cilin e përfaqëson prej vitit 2009, të mos bien në një grup. Përfaqësuesja e Malit të Zi udhëton nesër për në Prishtinë, ndërsa ndeshja zhvillohet të hënën me fillim nga ora 20:45.
Aktualisht, Grupin A e kryesojnë Anglia (një ndeshje më pak) e Çekia me nga 12 pikë, të pasuara nga Kosova (një ndeshje më pak) me 8 sosh. Mali i Zi e Bullgaria janë në pozitat 4 dhe 5 me nga 3 pikë të tubuara nga 6 ndeshje të zhvilluara secila.