Fjalë Kyçe

Kush thotë se tribunalin për krimet e luftës në Kosovë mund ta formojë vetëm OKB-ja

Kush thotë se tribunalin për krimet e luftës në Kosovë mund ta formojë vetëm OKB-ja

Vetëm Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e ka të drejtën ekskluzive të formojë Tribunla ndërkombëtar për hetimin dhe gjykimin e krimeve serbe të kryera në Kosovë.

Iniciativa e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, për ngritjen e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë, po vlerësohet nga njohës të kësaj fushe, por po shihet me skepticizëm përkrahja e ndërkombëtareve.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, i ka thënë Ekonomia Online se ngritjen e një Tribunali Ndërkombëtar e pengojnë shtetet si Kina dhe Rusia, anëtare të OKB-së.

Ai zgjidhje e sheh bashkëpunimin juridik me Serbinë që të ekstradohet personat përgjegjës për krimet e kryera.

“Unë shpreh skepticizmin që do të ketë sukses kjo nismë që të themelohet një Tribunal Ndërkombëtar duke ditur se tribunalet ndërkombëtare krijohen nga OKB, ku Kosova nuk është anëtare e saj deri më tani dhe ku oponentë të mëdhenj të Kosovës janë anëtare të kësaj organizate, sidomos Kina dhe Rusia, që sigurisht me ndikimin e Serbisë kishin me vendosë vetëm në këtë nismë”.

“Ne kemi kërkuar vazhdimisht nga institucionet e Kosovës që ato të bëjnë presion më të madh në Serbi gjatë dialogut me Serbinë që të vendosë një bashkëpunim juridik me Kosovën në mënyrë që t’i ekstradoj ata përgjegjës ndaj të cilëve ka prova që kanë kryer krime në Kosovë apo t’i gjykojë vetë në Serbi”.

Edhe pse Blakaj shprehet se në Kosovë janë krijuar mekanizma për ndriçimin e krimeve të luftës, problemin kryesor e sheh tek mosbashkëpunimi i Serbisë.

“Nuk është se nuk ka mekanizma, ka gjykata por problemi themelor është mosbashkëpunimi i Serbisë me Kosovës apo me institucionet e tjera në lidhje me drejtësinë. Mendoj që arritja e një marrëveshje politike ku Serbia kish me njohtë Kosovën kish me qenë çelësi kyç, pra me pranimin e Kosovës do vendoseshin marrëdhëniet normale mes dy shteteve e ku ka marrëdhënie të tilla”.

Sipas tij, mungojnë edhe kapacitetet e prokurorëve dhe gjyqtarëve kosovarë që të merren me çështje të tilla.

“Kapaciteti lë për të dëshiruar, mirëpo me trajnime të duhura kapacitetet do të ishin ngritur. Edhe në këtë moment, mendoj që kemi prokurorë, edhe gjykatës të cilët kanë kapacitete profesionale dhe morale”.

Ehat Miftaraj drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), konsideron se iniciativat e tilla do të shuhet në qershor me 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, duke mos zgjidhur problemin e krimeve të luftës.

“Edhe kjo iniciativë do të jetë publike në ditët në vazhdim, javët në vazhdim, mund të vazhdojë maksimumi deri në muajin qershor kur kapitullohet çlirimi i Kosovës, por pastaj sigurisht do të del ndonjë temë e re e cila do ta harroj këtë temë dhe ndoshta pas 10 viteve do dalë një parti tjetër politikë që do të inicioj prapë një Tribunal Ndërkombëtar. Fatkeqësisht kjo nuk e zgjidhë problemin e të zhdukurve, viktimave të krimeve të luftës në Kosovë e as të familjarëve të tyre”.

Ai shtoi se është koha e fundit që politika të krijojë mekanizmat e duhur për ndëshkimin e krimeve të luftës.

“Kemi përsëritur dhe e përsërisim, politika e ka mundësinë e fundit, e ka kohën ta kapë trenin e fundit për ta themeluar, për të forcuar Prokurorinë Speciale të Kosovës, të ketë një departament të veçantë për krime lufte, i cili duhet të ketë numër të madh të prokurorëve të cilët prokurorë pastaj duhet të kenë mbështetje përmes policisë gjyqësore të specializuar në hetimin, grumbullimin e të dhënave që lidhen me krime lufte. Po ashtu që të themelohet një degë në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me gjyqtarë profesionistë, të fushës të cilës do të specializohen të njëjtën për krime lufte”.

“Kuvendi i Kosovës duhet t’i tejkalojë interesat e ngushta politike, nuk ka nevojë më të luaj me fatin e familjarëve të cilët kërkojnë drejtësi për krimet e luftës duke propozuar agjenda të cilat nuk mund të krijojnë kurrfarë pasojash juridike por të merren me çështje praktike të cilat mund t’i zbatojnë”.

Miftaraj e quan fatkeqësi që Kosova nuk ka ende prokurorë profesionalë.

“Fatkeqësia është se 20 vite pas, Kosova nuk ka prokurorë që janë profesionale, që kanë njohuri, nuk kanë shkathtësi për të hetuar dhe ndjekur penalisht raste në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur”.

Më 6 maj kryeparlamentari Veseli është takuar me institucionet e drejtësisë dhe shoqatat e familjeve të viktimave të luftës në Kosovë, në kuadër të iniciativës së tij për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë.

Ai paralajmëroi formimin e një Komisioni Shtetëror, i cili do të përbëhet nga përfaqësuesit e pozitës, opozitës dhe komuniteteve, nga shoqatat e dala nga lufta, shoqatat e të pagjeturve, të dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve, nga organizatat e shoqërisë civile, nga institucionet e drejtësisë, dhe nga institucionet akademike.

Kurse më 6 maj Komisioni Ad-hoc për hartimin e Projekt-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë, ka proceduar për në Kryesi këtë rezolutë.