Zorica Axhievska dy herë është diagnostikuar nga kanceri i gjirit. Brenda dhjetë vitesh, ajo i është nënshtruar dy operacioneve ku ka hequr të dy gjinjtë si pasojë e komplikimeve të rënda që ka sjellë kanceri tek ajo. Për momentin gjendja e saj shëndetësore është stabile. Ajo ka familje, thotë se është e lumtur tani. Vullnetarisht dy herë në javë shkon në Klinikën e Onkologjisë dhe Hematologjisë për të ndihmuar moralisht gratë e prekura, të cilat janë në kemoterapi. Në muajin ndërkombëtar të kancerit në gji, ajo inkurajon të gjithë të prekurit nga kjo sëmundje, të mos dorëzohen.
“Herën e parë kur më treguan se kam kancer mendova se është fundi i botës, hera e dytë ishte ende më e tmerrshme, mendova se herën e parë e tejkalova, tani më skam shpëtim. Megjithatë nuk kishte qenë ashtu… pas 22 vitesh nga operimi i parë ende funksionoj, që prej 1 viti e gjysmë jam në “Borka” mundohem të ju ndihmojë grave të cilat e kanë këtë diagnozë. Herën e parë kur u diagnostikova me kancer, vajza ime ishte e re, nuk ishte e martuar, shkollën nuk e kishte kryer megjithatë unë ja, mbijetova, tani e shoh mbesën time dhe nuk dorëzohem. Dhashtë Zoti të luaj në dasmën e saj, shpresoj dhe nipër të kem”-pohoi Zorica Axhievska, Aktiviste dhe e diagnostikuar me kancer në gji.
Lençe Petrova poashtu është njëra nga gratë e prekura nga ky kancer, e cila ka operuar të dy gjinjtë. Ajo për momentin është e angazhuar në linjën telefonike SOS të shoqatës “Borka” ku iu jep udhëzime dhe këshilla të gjitha grave që paraqiten.
” Unë jam e operuar nga kanceri në gji në vitin ’96 kur isha ende pa mbushur 39 vjeç. Më zbuluan se kam kancer në të dy gjinjtë dhe patjetër në mënyrë radikale të hiqet meqë kishte arritur stadën e 4 sëmundja. I hoqa gjinjtë, u trajtova me kemoterapi, me ndriçim, dhe ja ku jam e gjallë. Këtu jam për të ndihmuar të gjithë që përjetojnë probleme si të miat madje dhe më këqija. Gjithë kohës jemi aktiv në linjën telefonike SOS 24/7 dhe jemi të lumtur kujt i ndihmojmë. Lajmërohen për probleme të ndryshme. Të gjitha shëtitje që ne i bëjmë, paratë që i mbledhim si donacion, blejmë paruke. Ka dhe njerëz që na donojnë, të cilët janë të mirëseardhur”-thekosi Lençe Petrova, Aktiviste dhe e diagnostikuar.
Nga shoqata “Borka” thonë se pavarësisht fushatave të shumta, në Maqedoni vetëdija e grave për të kontrolluar kancerin e gjirit është ende shumë e ulët. Ata konsiderojnë se mekanizmi më i mirë për tejkalimin e kësaj situate është vendosja e një sistemi i cili do të detyrojë pacientët përmes mjekut amë të kontrollohen.
“Ende e shohim se ka problem me joedukimin e grave, nuk dinë për programin e screeningut nuk e dinë se duhet të kontrollohen ose nuk e marin seriozisht. Ende është tabu kjo çështje, në veçanti nëpër zonat rurale dhe komunat e vogla, hasim në probleme të mëdha”-pohoi Biba Dodeva, Shoqata ” Borka ”
+“Konsiderojmë se në mënyrë sistemore duhet të ndryshohet lista pozitive, kështuqë tani këto terapi që gjinden, të futen në listë pozitive. Nuk kemi shumë mjete, të rritet Fondi për pacientët me sëmundje malinje dhe mendoj se kanceri duhet të jetë në fokusin kryesor të MSH dhe në Qeveri”-theksoi Biba Dodeva, Shoqata ” Borka “.
Brenda vitit në Maqedoni regjistrohen mbi 1200 raste të reja me kancer në gji që i bie 3 deri 4 gra brenda ditës, ndërsa vdekshmëria arrin deri në rreth 480 raste brenda një viti. Më shumë se 1000 paruke janë dhënë pacinteve të prekura që nga viti 2012./alsat