Kandidati për deputet nga radhët e koalicionit AKR-Nisma-PD, Behgjet Pacolli, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se koalicioni i tij ka 5.05% dhe ka kaluar pragun.
“Skandali me votat e parregullta të serbëve mund ti kushtojë Kosovës. Nga numërimi i deritanishëm i votave koalicioni Nisma-AKR-PD ka aktualisht 5.05% dhe ka kaluar pragun”, ka thënë Pacolli.
Pastaj ai i ka lënë fajin shtetit serb, të cilët sipas tij po dëshirojnë që koalicionin e tij të e lënë jashtë Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Veprimet e sotme përmes tentimit që votat e parregullta të procedohen e të numërohen është tentim për të deformuar vullnetin e qytetarëve. Votimi në Serbi nuk lejon që fletëvotime të tilla të dorëzohen në posten e Kosovës nga Zyra e Serbisë në Kosovë përmes orkestrimit nga Beogradi, por duhet të vijnë përmes postës, në KQZ të Kosovës. Në zarfa duhet të ekzistojë vula e origjinës prej ku është dërguar vota. Kjo është një shkelje e ligjit dhe ne do të ndërmarrim hapa ligjorë për të parandaluar shkeljen e procedurave. Beogradit dhe Vuçiçit po i pengon që koalicioni ynë ka kaluar pragun dhe nuk lejojmë me votat e tij te manipuluara dhe ilegale të deformohet vullneti qytetar”, ka thënë ai.
Ndryshe sot ka vazhduar numërimi i votave të ardhura nga Serbia, e për të cilat ishin dyshuar se kishin helmuar disa vëzhgues. Ende nuk ka filluar numërimi i votave me kusht të cilat pritet që të kenë një ndikim të madh në hyrjen e koalicionit Nisma-AKR-PD në Kuvendin e Kosovës.
