Banorë maqedonas sot dolën në protestë kundër hapjes së klasëve në gjuhën shqipe në shkollën fillore në Çashkë të Velesit.
Ky vendim i tyre vjen pas paralajmërimeve për hapjen e paraleles për 40 nxënësit shqiptarë, të cilët në këtë shkollë janë të detyruar të mësojnë në gjuhën maqedonase, edhe atë nga klasa e parë.
Protestuesit maqedonas që ishin tubuar para shkollës thanë se nuk do të lejojnë hapjen e paraleles dhe “arsyetojnë” veprimin e tyre me “si do të merren vesh fëmijët e tyre me ata shqiptarë, kur nuk do të dinë maqedonisht”. Ata po ashtu kanë thënë se “nuk mund të kërkojë kush të dojë çfarë të dojë”.
Shkolla qendrore në Çashkë ka mbi 120 nxënës, ndërsa 40 prej tyre janë nxënës shqiptarë, që mësojnë në gjuhën maqedonase nga klasa e parë, për shkak se nuk u sigurohet mësimi në gjuhën amtare. Prindërit shqiptarë nga fshatrat përreth thonë se janë të detyruar që fëmijët t’i çojnë në shkollë për të mësuar në maqedonisht, pasi që nuk u sigurohet mësimi në gjuhën shqipe.
Sipas tyre, shkolla qendrore në Çashkë ka hapësira të lira, pasi që kati i dytë i saj është bosh dhe nuk shfrytëzohet në mungesë të nxënësve.
“Kemi 6 – 7 fshatra që u bie të udhëtojnë mbi 10 kilometra në Çashkë. 41 nxënës shqiptarë detyrohen të mësojnë në maqedonisht në Çashkë që nga mosha 7 vjeç. Në Çashkë duhet shkolla. Shkolla qendrore me 120 nxënës ka hapësira të zbrazëta, tërë kati i dytë është i lirë.
“Në bisedë me kryetarin e komunës së Çashkës, Goran Stojanovski, i thash se përse nuk hapen në Çashkë. Ai më tha se prindërit maqedonas ankohen se do të ketë probleme mes nxënësve shqiptarë dhe maqedonas. D.m.th. janë pretendimet e prindërve maqedonas. Unë i thash se kjo është për të qeshur se të njejtit nxënës tanë nuk kanë problem me maqedonas. Kjo i bie se ju keni problem me gjuhën shqipe dhe jo me nxënësit. Sepse doni që ata të mësojnë në gjuhën maqedone.”, thotë për INA, njëri nga prindërit e nxënësve shqiptarë.
Prindërit shqiptarë thonë se i kanë thënë kryetarit të komunës se si mund të ndodhin probleme kur në këtë shkollë janë 41 nxënës shqiptarë që mësojnë maqedonisht dhe nuk ka probleme të tilla. “Dhe i sqaruam se problemi është se ju nuk dëshironi që ata të mësojnë në shqip.”, thonë prindërit shqiptarë.
40 nxënës të fshatrave të kësaj ane si Ellovec, Starigrad, Bosillcë, Banjica, etj, nga klasa e parë apo nga mosha 7 vjeç detyrohen të mësojnë maqedonisht. Ata janë të vendosur në konvikt për pesë ditë, ku duhet të qëndrojnë aty dhe janë larg familjeve të tyre. Prindërit kërkojnë që sa më shpejt të krijohen kushte që fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën amtare, pasi që kanë marrë premtime për hapjen e klasave në gjuhën shqipe dhe e drejta për arsimim në gjuhën amtare garantohet me Kushtetutë.