Fjalë Kyçe

Shpend Ahmeti nuk arrin të bëhet deputet, ja sa vota mori gjithsej!

Shpend Ahmeti nuk arrin të bëhet deputet, ja sa vota mori gjithsej!

Fiknete Bejta është njëra nga 10 këshilltarët komunalë që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare, por që nuk arritën të sigurojnë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë. Bejta, që thotë se ka dalë gruaja më e votuar në Prishtinë nga koalicioni AAK-PSD, premton që do të vazhdojë të angazhohet për të mirën e banorëve të kryeqytetit.

KTV-ja mëson se me votat e numëruara deri më tash, ministri në detyrë i shëndetësisë, Uran Ismaili, është i vetmi këshilltar komunal i kryeqytetit që në zgjedhjet e 6 tetorit është zgjedhur deputet.

Emisioni “038” i KTV-së ka dërguar pyetje në adresë të Ismailit, por ende nuk ka marrë përgjigje. Një ulëse në Parlament nuk ka arritur ta sigurojë as kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Madje, Ahmeti ka shënuar rënie drastike të votave. Ai, nga 75 mijë vota sa kishte marrë si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet qendrore të 2017, në ato të 6 tetorit të këtij viti, siç mëson KTV-ja, ka marrë vetëm mbi 2 mijë vota.

Ndonëse ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, mësohet se as dy drejtorët e Shpend Ahmetit në komunë nuk janë bërë deputetë.

Bëhet fjalë për drejtorin e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, Genc Bashota dhe atë të Pronës, Brahim Mehmetaj.

Kritikuese ndaj këtyre kandidaturave vazhdimisht është shfaqur Iniciativa për Progres, e cila monitoron punën. Për këtë organizatë, gara e një këshilltari komunal për t’u bërë deputet, është keqpërdorim i besimit të qytetarëve.

LDK-ja garoi me tre këshilltarë komunalë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

Në listën e PDK-së kanë qenë dy të tillë, aq sa kanë kandiduar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja. Ndërsa, AKR-ja dhe Alternativa kanë pasur nga një kandidat për deputet.