Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është takuar me kryetaren e grupit të grave të EPP-së, Doris Pack.
Mustafa e ka njoftuar Pack për vazhdimin e bisedimeve midis LDK-së dhe VV-së për mundësitë e krijimit të një koalicioni qeverisis midis dy partive.
Ky është njoftimi i plotë i LDK-së:
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka takuar kryetaren e grupit të grave të EPP-së (EPP Women), Doris Pack.
Znj. Pack uroi kryetarin Mustafa për rezultatet e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit duke uruar suksese të mëtutjeshme.
Kryetari Mustafa njoftoi znj. Pack për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës. LDK-ja, në Qeverinë e ardhshme, do të prioritizojë funksionalizimin e shtetit ligjor, arsimit, shëndetësisë, integrimeve evropiane si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Poashtu, kryetari Mustafa, duke falënderuar znj. Pack për përkrahjen e EPP-së, CDU-së dhe Gjermanisë ndaj Kosovës në të gjitha sferat, potencoi domosdoshmërinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi drejt proceseve integruese në institucionet euroatlantike.