Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka reaguar, për siç thonë ata, akuzat dhe njollosjen e punës së tyre. Përmes një komunikate për media, Sekretariati i KQZ-së thotë se ky organ është i obliguar t’i respektojë vendimet e KQZ-së dhe jo t’i interpretoj ato.
“Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një sërë sulmesh verbale publike nga subjekte politike te certifikuara për zgjedhje, në drejtim të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, vlerësimi dhe cilësimi publik i punës, që po bëhet nga akterë e formacione të caktuara në opinonin publik, po njollosë pa të drejtë Sekretariatin e KQZ-së.
Ata shtojnë se një formë e tillë e njollosjes dhe e apostrofimit të emrave të përveçëm dhe ndërlidhjes së tyre me procese të caktuara që janë përgjegjësi ligjore e stafit profesional të Sekretariatit të KQZ-së, ka marrë trajtën e presionit publik të pamerituar për stafin profesional të Sekretariatit.
“Pamundësia e marrjes së vendimeve të nevojshme përkitazi me procesin zgjedhor nga organet që janë kompetente për një gjë të tillë- dhe në mungesë të një vendimmarrjeje të tillë si dhe dështimit për të shtyrë në mënyrë të sforcuar, joskrupuloze dhe me presion të madh për vendimmarrje dhe procedim në nivel të ekzekutivit-, nuk do të duhej të përbënte arsye për sulm e njollosje ndaj trupës profesionale-teknike, siç është Sekretariati i KQZ-së, i cili është i detyruar të zbatojë vendimet e KQZ-së, ligjin dhe vendimet e organeve të tjera kompetente dhe jo t’i interpretojë ato”, thuhet në njoftim.