Fjalë Kyçe

Sejdiu thotë se nuk u befasua nga rezultati i Vetëvendosjes, por nga ai i PSD-së

Sejdiu thotë se nuk u befasua nga rezultati i Vetëvendosjes, por nga ai i PSD-së

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate tashmë i dorëhequr, Dardan Sejdiu, ka thënë se ishte e pritshme fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, dilema e vetme ishte a do të jetë fituese LDK-ja apo Vetëvendosje.

“Fitues të zgjedhjeve janë të dyja bashkë. Nëse nuk do të ishte ai lloj i polarizimit besoj që nuk do të dilnin me këta numra. Është përgjegjësi e tyre që të qeverisin me vendin. Nuk ishte befasues rezultati i Vetëvendosjes por ai i PSD-së”, ka thënë ai.

Ai tutje shton se kur je kryeministër, përgjegjësia është të marrësh në dorë çështjet e hapura të vendit.

I pyetur se a mbështet idenë e reciprocitetit, ai thotë se duhet ta shohin se si duket ky reciprocitet.

“Kurti është jashtëzakonisht i mirë në prezantimin e platformës, ai ka një oratori të shkëlqyer. Dua të shoh se si Kurti ‘do t’i vendosë paratë aty ku i ka fjalët’ sepse reciprociteti nuk është vetëm politik, nuk është vetëm për një temë. Haradinaj nuk është se e kishte keq me taksën, sepse kjo e bllokoi Hashim Thaçin për të mos hyrë në temat për shkëmbim. Kjo e bllokoi dialogun dhe me këtë u shpërfaq për çka po flasin. Sot Haradinaj e dorëzon Kosovën më mirë se sa e ka marrë dhe besoj që Kurti do ta vazhdojë”, ka thënë ai

Duke folur për rezultatin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ai ka thënë se në dy vitet e ardhshme Ahmeti atë mesazh që ia kanë dhënë qytetarët do ta ndërtojë me punë.

I pyetur se cili do të jetë kontributi deputetes së vetme të zgjedhur nga kjo parti, Natyra Kuçi, ai ka thënë se ai i vetëm në komisione parlamentare kishte shtyrë përpara shumë ligje, derisa thotë se edhe ajo mund ta bëjë të njëjtën.

“Nëse e përcjellim këtë logjikë, atëherë i bie se nuk mund të formohet asnjë subjekt politik që nuk përfaqësohet në Kuvend. Ne kemi një deputet, dy komuna që qeverisim dhe njerëz gjithandej që ta shpërndajmë konceptin e Socialdemokracisë”, ka thënë ai.

Duke folur për opozitën e cila pritet të jetë në këtë legjislaturë, ai thotë se nuk i ka parë asnjëherë në këtë kënd të dyja bashkë PDK-në e AAK-në.

Sipas tij, nuk është fare lehtë që të bëhet opozita, ngase të dyja partitë që pretendojnë të vijnë në pushtet kanë njerëz shumë të mirë.

“Unë do të kisha shumë dëshirë që diskutimi në Kuvend të normalizohet”, ka thënë ai.

Ndërkaq për zvogëlimin e numrit të ministrive, ai thotë se nuk e din çka do të zvogëlohet.

“Ndoshta do të kursehen 1 milion euro. Unë po pres transformim, një subjekt i majtë nuk e ka fetish numrin e ministrave por punën e qeverisë. Ky është mesazh i fortë”, ka thënë ai.