Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur që të pranojë si të bazuar ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD, kështu duke urdhëruar KQZ-në, që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia dhe të rinumërohen mbi 1 mijë e 400 vendvotime.
Pas këtij vendimi të PZAP-së, Bilall Sherifi nga Nisma ka thënë se tashmë u vërtetua se me votat e ligjshme ky subjekt politik do të jetë pjesë e Kuvendit.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Sherifi ka falënderuar të gjithë votuesit, anëtarët dhe simpatizantët e koalicionit Nisma-AKR-PD.
Postimi i plotë i Sherifit pa ndërhyrje:
Me vendimet e sotme PZAP ktheu ligjshmërinë dhe konfirmoi atë që vazhdimisht e kemi thënë, se me votat e ligjshme NISMA është pjesë e Kuvendit të Kosovës!
Urime dhe falënderime të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve të Koalicionit tonë!
Gjithashtu, mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata që ngritën zërin kundër tendencave për të pranuar si të ligjshme zarfet e ardhura në mënyrë të paligjshme nga Serbia!.